Propozohet dekorimi i politikanëve të akuzuar
Këshilli Organizativ për festimet e pesëvjetorit të shtetit i ka propozuar Presidentes së Kosovës dekorimin e anëtarëve të Grupit të Unitetit dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës të cilët shpallën Pavarësinë. Por, një numër i këtyre zyrtarëve e kanë të pamundur të dekorohen bazuar në legjislacionin në fuqi për shkak se ose janë dënuar për krime ose janë nën hetime.Në tavolinën e Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka mbërritur një propozim për dekorimin e burrave që drejtuan Grupin e Unitetit në negociatat për statusin final të vendit.
Në propozim përfshihet gjithashtu kërkesa që Jahjaga të dekorojë edhe 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës që nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë, shkruan Gazeta Jeta në Kosovë.
Dekorimi pritet të bëhet pas tri javësh, më 17 shkurt, gjatë festës së pesëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Ai është dërguar në Presidencë nga Këshilli Organizativ, i ngritur në fillim të janarit, që merret me përgatitjen e festimeve, i drejtuar nga zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.
Këtë e ka konfirmuar, Memli Krasniqi, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe zëdhënës i Këshillit Organizativ.
“Presidentes i është dërguar kërkesa për t’i dekoruar të gjithë anëtarët e Grupit të Unitetit që kanë qenë në negociata dhe deputetët që shpallën Pavarësinë”, thotë Krasniqi.
“Nuk e dimë ende nëse Presidentja ka vendosur apo jo”, shtoi ministri.
Presidentja ende nuk ka vendosur për këto dekorime.
“Presidenca së shpejti do të formojë komisionin përkatës i cili do të shqyrtojë propozimet. Unë nuk i kam parë ato”, thotë Arbër Vllahiu, këshilltar për media i Presidentes Jahjaga.
Sipas Memli Krasniqit, propozimi përfshin edhe dekorimin e të gjithë deputetëve që kanë shpallur pavarësinë me “Urdhrin e Pavarësisë”.
“Urdhri i Pavarësisë” është e treta nga njëmbëdhjetë dekoratat që mund të japë Presidentja e Kosovës, bazuar në rregulloren për llojet dhe procedurën e dhënies së dekoratave.
Por a do të mundet Presidentja të dekorojë të gjithë deputetët e legjislaturës së tretë, të cilët ishin të pranishëm në sallën e Kuvendit të Kosovës më 17 shkurt 2008?
Legjislacioni për dekorata parasheh kufizime ligjore për pretendentët e dekoratave.
“Propozime nuk mund të bëhen për ata persona që kanë qenë të dënuar për krim të rëndë apo janë nën hetime sipas ligjeve në fuqi”, shkruan në nenin 22 të Rregullores për Llojet dhe Procedurat e Dhënies së Dekoratave.
Kjo periudhë legjislative zyrtarisht ka zgjatur nga 13 dhjetor 2007 deri me 3 nëntor 2010.
Rregullorja nuk përcakton mënyrën se si Presidentja do të informohet për njerëzit që janë nën hetime dhe nëse kjo do të bëhet në bashkëpunim me prokurorinë.
Por rregullorja parasheh se dekoratat mund të shoqërohen me shpërblim në të holla.
Gazeta Jeta në Kosovë ka identifikuar së paku katër deputetë e ish-deputetë të asaj periudhe cilët janë dënuar ose janë në procese gjyqësore për vepra penale.
Bujar Bukoshi, i cili ishte deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, është në proces gjyqësor penal pasi që akuzohet nga EULEX për shpërdorim të detyrës zyrtare. Aktakuza për këtë vepër penale është konfirmuar dhe Bukoshi ka dhënë dorëheqje nga pozita e zëvendëskryeministrit.
Fatmir Limaj, deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, akuzohet për krime lufte dhe ndër të tjera për krim të organizuar, keqpërdorim të detyrës, pranim të ryshfetit dhe pastrim parash. Në të njëjtën kohë, ai është duke u ballafaquar me dy procese gjyqësore dhe aktualisht ndodhet në paraburgim.
Nexhat Daci, kryetar i Lidhjes Demokratike të Dardanisë dhe ish anëtar i Kryesisë së legjislaturës së tretë, është dënuar me tetëmbëdhjetë muaj burg, të suspenduar për dy vite nëse nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale, për keqpërdorim të pozitës zyrtare për përfitime dhe qëllime personale. Ai është dënuar pasi që gjatë kohës sa ishte Kryetar i Kuvendit të Kosovës kishte blerë një palë syze dhe kishte rregulluar dhëmbët me para të taksapaguesve kosovarë.
Rrustem Mustafa, deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, akuzohet nga EULEX-i se ka kryer veprën penale të krimeve kundër popullatës civile. Procesi gjyqësor kundër tij është duke vazhduar.
Sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, në rast se Presidentja do të dekoronte deputetë të tillë, ajo mund të rrezikojë të shkelë ligjin.
Nazim Haliti, zëvendës-drejtor i Forumit për Iniciativa Qytetare, thotë se vetë ideja për t’i dekoruar deputetët është e paarsyeshme dhe e panatyrshme.
“Kjo është e tepërt”, thotë Haliti për Gazetën Jeta në Kosovë.
“Është e paarsyeshme t’i nderosh në mënyrë të njëjtë ata njerëz kur dihet se në përbërje të atij legjislacioni apo ‘Grupi Uniteti’ ka persona me karrierë dhe të kaluar të ndryshme, si dhe nën hetime e me probleme me ligjin”, thotë Haliti.
Këta njerëz të cilët janë propozuar të dekorohen janë paguar dy herë.
“Për punën e bërë si të zgjedhur të popullit e marrin rrogën edhe me një vendim të turpshëm ia kanë dhënë vetës edhe nga 500 euro, që janë ‘lodhur’ duke e shpallur pavarësinë”, thotë Haliti.
Vendimi për shpërblim të cilit i referohet Haliti, i takon shkurtit të vitit 2008, kur të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, firmëtarë ta deklaratës së pavarësisë, ishin shpërblyer me nga 500 euro.
Dekorata pritet të marrin edhe të gjithë anëtarët e Grupi të Unitetit që ishte krijuar në vitin 2005, me vendimin e Presidentit Ibrahim Rugova.
Ai përbëhej fillimisht nga Ibrahim Rugova - President, Nexhat Daci - Kryetar i Kuvendit, Bajram Kosumi - Kryeministër, Hashim Thaçi - Kryetar i PDK-së, Veton Surroi - Kryetar i Ora-s dhe Blerim Shala - Koordinator.
Gazeta Jeta në Kosovë ka zbuluar se ideja e dekorimit të të gjithë këtyre e Rektorit të Universitetit të Prishtinës, Ibrahim Gashi.
Këtë e ka konfirmuar Muhamet Bilalli, kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, dhe anëtar i Grupit Organizativ. /Telegrafi/