‘Protestat pa ndikim’
Dy ditët e protestave, 14 dhe 22 janari, ishin ditët e vetme kur në pikat kufitare Dheu i Bardhë dhe Merdarë nuk ka pasur qarkullim të mallrave serbe. Edhe pse ato ditë të protestës nuk ka qarkulluar mall apo edhe qytetarë, kjo del të jetë bërë vetëm për t’iu shmangur protestuesve. Këtë e bëri të ditur të shtunën drejtori i Doganave, Naim Huruglica, sipas të cilit, në ato pika tashmë është kthyer normaliteti.“Ditët që është protestuar nuk ka pasur qarkullim, ka pasur pak ose hiq, sepse vet kompanitë dhe drejtuesit e makinave u shmangën që të importojnë, pra nuk ka pasur”.
“Por pas dy apo tre ditë është kthyer në suaza të normales, pra nuk kemi ndonjë indikacion se ato protesta kanë ndikuar që substancialisht të ndalet importi. Vetëm ato ditë kanë hezituar, por jo edhe më vonë. Gjithçka është kthyer siç ka qenë paraprakisht”, ka thënë Huruglica, ndërsa transmeton Kosovapress. /Telegrafi/