Punëtori teknik i pyjeve akuzohet për marrje ryshfeti
Prokuroria Komunale në Gjilan ka ngritur sot aktakuzë kundër të pandehurit Bajram Vokshi, punëtor teknik i pylltarisë në Drejtorinë për Bujqësi të Autoritetit Pyjor Komunal në Kamenicë, për shkak të kryerjes së veprës penale marrja e ryshfetit.I pandehuri më 24 korrik 2012 në fshatin Hogosht komuna e Kamenicës, në pozitën e personit zyrtar, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete me dashje ka marrë 500 euro ryshfet për ta kryer në kuadër të autorizimeve të tij një veprim zyrtar, të cilin ai nuk duhej ta kryente, me çka ka kryer veprën penale, marrja e ryshfetit nga neni 343 paragrafi 1 të KPK-së, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.
Prokuroria Komunale në Gjilan ka kërkuar nga Gjykata Komunale në Kamenicë, që të pandehurit t’i shqiptohet sanksion penal meritor sipas Kodit Penal të Kosovës, si dhe krahas shqiptimit të sanksioneve penale, në bazë të nenit 343 paragrafi 4 i KPK-së, kartëmonedha prej 500 euro nga i pandehuri t’i kthehet të dëmtuarit. /Telegrafi/