Qeveria, 97 mijë euro për meremetimin e varrezave serbe

15:49 / 30.01.2013

Kabineti qeveritar në mbledhjen e të mërkurës ka marrë vendim për ndarjen e mjeteve prej 97 mijë euro për meremetimin e varrezave të dëmtuara serbe.

Ndërkohë janë ndarë edhe 5 mijë euro për të mbuluar shpenzimet e familjes Sopa, me rastin e vdekjes së zyrtarit për informim të Qeverisë së Kosovës, Hamdi Sopa. Gjithashtu janë miratuar një sërë projektligjesh në mbledhjen e sotme, si dhe Projekt-Strategjia Kombëtare dhe Plani i Veprimit për Parandalimin e Krimit 2013-2017.

Pas miratimit të projektligjeve, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka folur për vendimin që ka marrë kryeministri ditë më parë për kompensimin e dëmeve të varrezave serbe.

Me këtë është pajtuar edhe ministri i Pushtetit Lokal, Slobodan Petrovic, i cili ka thënë se në bazë të një analize, nevojiten 97 mijë euro për mbulimin e këtyre shpenzimeve, raporton “Express”.

Për këtë ka kërkuar sqarim zëvendësministri i Financave, Ramadan Avdiu, i cili ka thënë se fillimisht ekzekutivi i vendit ka ndarë 20 mijë euro për kompensimin e dëmeve, duke pyetur se a hyn kjo shumë në shumën 97 mijë euro. Ministri Petrovic ka dhënë sqarim që kjo hyn në shumën prej 97 mijë euro dhe më pas është miratuar kjo.

Po ashtu kabineti qeveritar ka marrë vendim që të ndajë një shumë prej 5 mijë euro për familjen Sopa, për të mbuluar shpenzimet. Ditën e djeshme, Hamdi Sopa, zyrtar për informim në kryeministri, është vetëvrarë duke rënë nga banesa e tij 9-katëshe.

Në mbledhjen e sotme është miratuar Shqyrtimi i Strategjisë Kombëtare dhe Planit të Veprimit për Parandalimin e Krimit 2013-2017.

Po ashtu është miratuar Propozim-vendimi për aprovimin e statutit të Universitetit të Pejës “Haxhi Zeka” dhe atij të Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”. Ndërkohë është bërë thirrje që të përgatiten edhe statutet për Universitetin e Gjilanit dhe atij të Mitrovicës.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe Projektligjin për Produktet Medicionale dhe Pajisje Medicionale dhe Projektligjin për Blegtorinë.

Gjithashtu është miratuar edhe Projekt-rregullorja për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në Ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Po ashtu është miratuar Propozim-vendimi për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 65 mijë e 885 euro për mbulimin e shpenzimeve të punës së Sekretarisë së Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, pjesëtarit apo të internuarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për vitin 2013. /Telegrafi/

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.