Qeveria përshëndet marrjen e Udhërrëfyesit
Qeveria e Republikës së Kosovës ka përshëndetur dorëzimin e shumëpritur të Udhërrëfyesit për liberalizim të vizave, të ndërmarrë sot nga Komisioni Evropian, e që është dhënë në koordinim me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian. Ky është edhe një konfirmim i qartë që Kosova është duke shkuar me hapa të sigurt drejt integrimit evropian dhe puna në këtë drejtim do të shpërblehet me përfitime konkrete për qytetarët e Republikës së Kosovës.
“Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh kënaqësinë që ky proces për përmbushjen e parakushteve për të arritur heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, që është ofruar sot është në pajtim me politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian, si dhe është i ngjashëm me procesin integrues të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor”, thuhet në kumtesë.
Po ashtu në komunikatë thuhet se Qeveria zotohet që ky proces të përmbyllet sa më shpejtë.
“Ky kapitull i procesit është përmbyllur falë përkushtimit të institucioneve të nivelit qendror dhe atij lokal në adresimin e sfidave që kanë të bëjnë me migrimin, sigurinë e dokumenteve, reformat në fushën e sundimit të ligjit, si dhe përmirësimin e kushteve për ripranim dhe ri-integrim të personave të riatdhesuar. Nga tani e tutje ky përkushtim do të jetë kyç në mënyrë që ky proces të shkojë përpara”, thuhet në kumtesë. /Telegrafi/