Qindra policë të Kosovës hetohen për vepra penale gjatë detyrës
Inspektorati i Policisë së Kosovë gjatë këtij viti, deri në muajin tetor, ka hetuar 226 pjesëtarë të policisë nën dyshimin që kanë kryer vepër penale gjatë kryerjes së detyrave zyrtare. Këta policë dyshohen për marrje ryshfeti, shpërdorim detyre, zbulim i fshehtësive zyrtare, falsifikim dokumentesh, kontrabandë me mallra, mundësim prostitucioni, lëndime trupore etj., dhe 14 prej tyre u është ndërprerë marrëdhënia e punës.Jetullah Aliu, drejtor i Departamentit të Hetimeve në Inspektoratin e PK-së, ka bërë të ditur se 226 policët e dyshuar u përkasin të gjitha njësiteve policore. Për 80 nga ta, sipas tij, janë ngritur kallëzime penale dhe janë dërguar në prokuroritë kompetente, ndërsa për 54 raste janë bërë raporte të veçanta, shkruan “Koha Ditore”.
“Janë 88 raste nën hetime të mbyllura në Inspektoratin e policisë (IPK). Pjesëtarë të arrestuar për këtë periudhë janë 15, ndërsa 43 zyrtarë policorë janë të suspenduar nga IPK-ja dhe janë nga të gjitha njësitë policore në krejt territorin e Kosovës, duke përfshirë edhe njësitë e trafikut dhe patrullat”, ka thënë Aliu.
Sa u përket pjesëtarëve policorë që marrin ryshfet nga qytetarët gjatë ushtrimit të detyrave të tyre zyrtare, Aliu ka potencuar se ata pjesëtarë suspendohen deri në përfundimin e hetimeve dhe se ndaj tyre iniciohet kallëzim penal. Inspektorati policor informohet shpeshherë për këto raste nga qytetarët, por edhe përmes formave të tjera.
“Format e tjera janë kryesisht proaktive dhe me autorizimin e kryeshefit të IPK-së fillohet një hetim preliminar dhe po ashtu merren burime të tjera të informacionit”, ka thënë Aliu.
Ndërkaq Baki Kelani, zëdhënës i PK-së, ka bërë të ditur se, sipas të dhënave që ka PK-ja, nga janari deri në gusht të këtij viti janë larguar nga puna për marrje të ryshfetit dhe shpërdorim të detyrës 9 zyrtarë policorë. Ndërsa 5 zyrtarë të tjerë thuhet të jenë larguar për shkelje administrative.
“Gjatë vitit 2011 për shkelje të rënda administrative dhe vepra penale janë larguar nga puna 33 punonjës, ndërsa në vitin 2010 janë larguar nga puna 39 punonjës”, ka thënë Kelani. /Telegrafi/