Qosja përkrahë idenë e shkëmbimit të territoreve
Akademik Rexhep Qosja në një intervistë për Radio Televizionin 21 ka thënë se veriu i Kosovës vazhdon të “mbetet thembër e Akilit” për Kosovën apo si një “Kalë i Trojës”.Qosja ka thënë se nuk pret bisedime të suksesshme me Serbinë. “Nuk pres një përfundim të suksesshme të bisedimeve, nuk pres”, ka thënë Qosja.
Ndërkaq duke folur për idenë e tij që të këtë shkëmbim territoresh, ai mendon se kjo është edhe një praktikë ndërkombëtare që të shkëmbehen territoret.
Ai thotë se veriu i Kosovës është “Kali i Trojës” për Kosovën.
“Për mu ajo pjesë (veriu) është një ‘Kali i Trojës’ dhe gjithmonë do t’i sjell rreziqe Kosovës. Nuk do të doja ta shoh Kosovën me ato rreziqe dhe ato brenda saj dhe për atë arsye e kam thënë se pse mos të bëhet shkëmbim i pjesës veriore me Luginën e Preshevës”.
Akademiku ka komentuar edhe protestën e Vetëvendosjes dhe dhunën e përdorur një javë më parë në këtë protesta.
Qosja nuk e ka arsyetuar dhunën e asnjërës palë.
“Të përdoret dhunë ndaj Policisë sonë pa arsye siç jemi sjell dikur ndaj policisë serbe është e paarsyeshme. Ajo ishte polici e pushtuesit. Ajo ishte policia e atyre që ushtronin dhunë dhe terror në popullin tonë dhe prej tyre jemi sjell ashtu si kemi mundur në mënyrën tonë. Policia jonë janë djemtë tonë, janë vajzat tona, ne i kemi rritë, ata krijojnë sigurinë tonë dhe pse ti detyrojmë ata të përdorin dhunën që mund të jetë e papranueshme. Pra, nuk i përkrah edhe as disa sjellje të Vetëvendosjes në këtë protestë”, ka thënë Qosja. /Telegrafi/