Rasic: Mos e ndryshoni Ligjin për vlerat e luftës

17:36 / 12.06.2013

Qeveria e Kosovës nuk e përkrah plotësim-ndryshimin e Ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së, personave të dhunuar gjatë luftës, viktimave civile të luftës dhe familjeve të tyre, pasi nuk kanë buxhet me të cilin do të bëhej implementimii projektligjit. Por, kundër këtij propozimi ka dalë shoqëria civile dhe organizatat e dala nga lufta të UÇK-së, duke thënë se nuk është arsyetim mungesa e buxhetit.

Gjatë, dëgjimit publik që ka mbajtur Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, personave të dhunuar gjatë luftës, viktimave civile të luftës dhe familjeve të tyre, Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Nenad Rasic tha se duhet të jenë të kujdesshëm , sepse çdo veprim i cili nuk është i planifikuar mund të bëjë dëme të shumëfishta dhe ta dëmtoj se pari jo vetëm buxhetin e Kosovës, por edhe marrëdhëniet ndërkombëtare dhe institucionale me faktorët që janë shumë të rëndësishme për të gjithë.

“Unë në këtë projektligj absolutisht nuk e kundërshtoj esencën e projektligjit, nuk e kundërshtoj idenë e tij, kjo është me vend dhe me besoni nga ana morale, Ministria e Punës do të përkrah çdo projektligj që ka për detyrë rregullimin e statusit personave që kanë qenë të dhunuar, të dëmtuar gjatë konfliktit. Por nga ana tjetër duhet ta theksoj se forma e prezantuar në këtë projektligj nuk është në nivelin që ne mund ta përkrahim. Këtë po e them për shkak se e dini edhe ju vet se buxheti planifikohet jo vetëm vit për vit por planifikohet për tre vitet e ardhshme”, tha ministri Rasic.

Ai u shpreh se të gjithë ata që kanë pasur pasoja gjatë luftës kanë të drejtë, jo vetëm morale, por edhe institucionale për kompensim, edhe pse sipas tij, nuk ka forma financiare që mund të kompensoj një humbje qoftë familjare qoftë morale gjatë luftës.

Siç transmeton Kosovapress, Rasic tha se në këtë projektligj e sheh se ka një rrezik të kostos i cili do të tejkalon të gjitha mundësitë që ata kanë për këtë moment, por po ashtu në të ardhmen planifikime nuk kanë bërë dhe që për momentin nuk kanë as numër të saktë të personave që duhet kompensuar, e as kosto finale financiare.

Në anën tjetër drejtoresha e Rrjetit të Grave, Igballe Rugova ka kundërshtuar arsyetimin e ministrit Rasic se nuk kanë kosto financiare për ta implementuar ligjin, duke thënës e rëndësia që kanë këto gra nuk duhet të bisedohet se a ka mundësi të lejoj buxheti apo jo, sepse ato gra janë dëmtuar shumë edhe është koha që t’ua kompensojnë dëmin, lëndimet që ato i kanë pasur.

“Ministër dëmi është bërë shumë i madh nga okupatori edhe dëmi është bërë shumë i madh edhe nga shoqëria jonë. Gjithë këto 14 vjet u kemi bërë dëm këtyre grave. E them këtë sepse deri tash janë identifikuar dhe kanë pranuar të identifikohen vetëm gratë edhe pse e dimë që në Kosovë ka pasur edhe burra, por ata kurrë nuk do të dalin të thonë që kanë qenë të dhunuara”, tha Rugova.

Ndërsa, kryetar i OVL-UÇK-së, Muharrem Xhemajli tha se ata edhe më herët kanë qenë kundër këtij projektligji, para se të hyn në plotësim ndryshim, tek çështja e veteranëve dhe pjesëtarët e UÇK-së. Sipas tij veteranët janë të përjashtuar nga të gjitha beneficionet me anë të këtij ligji.

“Ne mendojmë që personat e dhunuar ka pasur mundësi dhe ka mundësi që të mbesin në këtë emërtimin për viktimat civile, sepse duke marr parasysh viktimat civile konsiderohen të gjithë ata njerëz që kanë qenë të pambrojtur dhe kanë pësuar në forma të ndryshme. Nuk do të thotë se është viktimë civile është vrarë apo është maltretuar sepse termi dhunim është termë i gjerë dhe duhet të bisedohet për këtë se çka nënkuptojmë me termin dhunim”, tha Xhemajli.

Kërkesa për zbutjen e këtij termi pati edhe nga të pranishmit tjerë, duke thënë se termi persona të dhunuar duhet të jetë me afirmativ më i butë, sepse është termë i egër të thuhet dhuna ndaj grave.

Po ashtu, gjatë debatit, pati edhe kërkesa tjera nga shoqëria civile që në këtë projektligj viktimat civile të quhen martir e jo vetëm viktima civile.

Plotësim-ndryshimi i projektligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve dhe pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është bërë me inicimin e Vetëvendosjes, për përfshirjen e personave të dhunuar gjatë luftës, viktimave civile të luftës dhe familjeve të tyre në këtë projektligj. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.