RDK i thotë jo koalicioni me PDSH-në dhe LSDM-në
Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK) sot ka konfirmuar qëndrimin e saj se nuk do të jetë pjesë e koalicionimit me PDSH dhe LSDM. “RDK konfirmon qëndrimin e saj se është për bashkëpunimin e partive parlamentare shqiptare për të shtruar dhe zgjidhur një herë e përgjithmonë statusin juridiko-kushtetues te kombit shqiptare në Maqedoni. Kjo zgjidhje varet nga ky bashkëpunim që është larg për tu bërë realitet përderisa BDI dhe PDSH nuk janë vetëm konkurrentë politikë, por janë transformuar në armiq politikë dhe vazalë të VMRO-së, gjegjësisht LSDM-së. RDK është parti opozitare dhe në këtë drejtim ka besuar dhe punuar në bashkëpunimin e opozitës shqiptare si mundësi për fitoren e opozitës. I mbetet elektoratit të PDSH-së ta kuptojë drejt se ekzibicionet dhe absurditetet e vazhdueshme të politikëbërjes së kësaj partie ishin shkaktarë për prishjen e këtij bashkëpunimi”, theksoi kryetari i RDK-së, Rufi Osmani.
Sipas tij, koalicioni LSDM – PDSH është një koalicion interesi konjuktural pa kurrfarë platforme politike dhe realizohet në komunat ku këto dy parti rrezikojnë të jenë humbëse nëse dalin vet në zgjedhje.
“Nëse do të ishte koalicion i vërtetë ndëretnik ai duhej te bazohej në një platformë të përbashkët duke dhënë përgjigje për sfidat ndëretnike në kuptim të kompetencave lokale dhe do të përfshinte komunat me popullatë të përzier ku gjasat për fitore janë te barabarta në mes të kandidateve shqiptarë dhe maqedon si rasti me komunën e Strugës dhe të Kërçovës dhe ne me tepër komuna rurale ne vend”, theksoi Osmani.
Ai paralajmëroi se në zgjedhjet lokale të marsit të vitit 2013, RDK do të garojë si pjesë e koalicionit me DR-në, BDSH-në dhe subjekte të tjera politike dhe jopolitike në bllokun shqiptar, me të cilat do të arrijë marrëveshje elektorale.
“Mbi 50 mijë vota të këtij koalicioni dhe grupimeve tjera joqeveritare dhe politike do të jenë vendimtare në shumë komuna, në veçanti në rrethin e dytë zgjedhor, me ç`rast do të zhbëhen tezat se RDK është parti me synime lokale dhe pa ndikim në planin nacional”, deklaroi kreu i RDK-së.
Sipas tij, intrigat e reja për do farë dosjesh për ta kushtëzuar të Rufi Osmanit janë pjellë naive e shërbimeve të strukturave shtetërore dhe te partive politike te cilave ju pengon paraqitja në skenë e RDK –se .
”RDK ka agjendën e aktivitetit të vet politik. RDK-së nuk i interesojnë kandidaturat e shpallura të partive tjera, të opozitës apo të pozitës, dhe nuk e ndjen të nevojshme t’u jap përgjigje politikanëve ekzibicionistë, të cilët nuk dinë as vet se cilat qëndrime politike i kanë pasur dje, sot dhe nesër”, deklaroi Osmani.
Kreu i RDK-së ka folur edhe për qeverisjen njëvjeçare të koalicionit qeveritar VMRO-DPMNE dhe BDI.
Kjo parti ka radhitur disa dështime duke theksuar asnjë post të rëndësishëm qeveritar për shqiptarët, devalvimin e ligjit për gjuhët, talljen me ligjin për ish-luftëtarët e U]K-së, keqpërdorimi dhe skenarët rreth rastit “Monstra” dhe vrasjes së pesëfishtë, zvarritja e gjykimit për policin vrasës në Gostivar, incidentet dhe rrahja e shqiptarëve, përdorimi i librave ku fyhen shqiptarët, miratimi i ligjit diskriminues për flamurin, mosrespektimi i parimit të përfaqësimit të drejtë, mungesa e investimeve në zonat shqiptare dhe çështje tjera.
“Tkurrja e pretendimeve të funksionarëve të BDI-së për buxhet proporcional prej 25 për qind për investime kapitale, në vetëm 1 për qind të parapara për shqiptarët në vitin 2012, në veçanti pas ribalancit të buxhetit, manifeston kulmin e dështimit politik, me pasoja të rënda për interesat ekonomike dhe zhvillimore të popullit shqiptar në Maqedoni”, theksoi Osmani, duke shtuar se Qeveria po mashtron shqiptarët edhe rreth zonave të lira ekonomike, transmeton INA.
RDK ka shprehur shqetësime dhe reagoi kundër Qeverisë edhe për dështimin e saj në planin e politikës së jashtme dhe procesin e integrimeve evroatlantike. “Politikat alternative të Qeverisë aktuale për gjetjen e partnerëve politikë dhe ekonomikë në Kinë, Indi dhe Rusi janë të dënuara të dështojnë”, nënvizoi kreu i RDK-së. /Telegrafi/