RENEA “blindon” ambasadën amerikane
Forcat Speciale “blindojnë” Ambasadën Amerikane në Tiranë, me qëllim të shtimit tëmasave të sigurisë nga frika për ndonjë sulm të mundshëm ndaj përfaqësisë diplomatike, sikurse po ndodh në shumë vende të botës, ndaj ambasadave amerikane, për shkak të shfaqjes së filmit që konsiderohet si fyerje për myslimanët.Burime të besuara nga Policia e Shtetit, bënë të ditur se masat e shtuara të sigurisë janë marrë prej disa ditësh, për të shmangur çdo incident të mundshëm. Kështu, prej disa ditësh, forca të shumta speciale dhe të RENEA-s, janë vërejtur përreth godinës së ambasadës së SHBA-ve që ndodhet në Rrugën e Elbasanit, duke qëndruar në gatishmëri përgjatë 24 orëve.
Policia shqiptare, sikurse dhe policitë e vendeve të tjera, duket se i është përgjigjur thirrjes së presidentit amerikan Barak Obama, i cili u kërkoi të gjitha përfaqësive diplomatike në të gjitha shtetet të rrisin masat e sigurisë, për shkak të asaj që konsiderohet si “zemërata” e botës islame.
Shfaqja e filmit që ironizon profetin Muhamed, ka shkaktuar zemëratë të madhe në botën islame, dhe në shumë vende të botës ka pasur protesta të ashpra dhe deri në sulme ndaj ambasadave amerikane, duke krijuar pasiguri për jetën e diplomatëve dhe personelit.
Pasiguria është bërë edhe më e madhe për faktin se pak ditë më parë, u ekzekutua brenda në ambientet e Ambasadës Amerikane në Libinë e tensionuar ambasadori dhe tre pjesëtarë të stafit diplomatik. Ndodhur përballë një situate të tillë, presidenti i SHBA-ve, Barack Obama bëri thirrje që të merreshin masa në të gjitha përfaqësitë diplomatike. Kështu, prej disa ditësh, ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, është blinduar nga forcat e sigurisë. Shtimi i masave, konfirmohet zyrtarisht nga Policia e Shtetit, e cila nuk jep detaje të mëtejshme, transmeton BalkanWeb.
Natyrisht, plani i masave të sigurisë është sekret, por ajo çfarë bie në sy është fakti se vihet re prania e shtuar e forcave speciale që qëndrojnë në grupe përreth godinës së përfaqësisë diplomatike, patrullimet 24-orëshe, si dhe lëvizja e forcave RENEA.
Nuk dihet se sa do të zgjasë shtimi i masave të sigurisë të Ambasadës Amerikane në Tiranë, dhe gjithashtu policia është e rezervuar për të dhënë detaje nëse shtim masash ka pasur dhe për përfaqësitë e tjera diplomatike që operojnë në Shqipëri. Policia tregohet tejet e rezervuar për të dhënë detaje të planit të masave dhe kohëzgjatjes së saj, por është fakt, që të paktën Ambasada Amerikane është nën masa të rrepta sigurie dhe me shumë gjasë do të qëndrojë në “shtetrrethim” derisa të ketë një qetësim të situatës së rënduar të krijuar në disa vende, ku protestat ndaj përfaqësive diplomatike kanë degjeneruar në dhunë, duke rrezikuar jetën e diplomatëve. /Telegrafi/