Rigjykohet “Grupi i Llapit”

9:25 / 12.06.2012
Latif Gashi, Rrustem Mustafa e Nazim Mehmeti do të gjykohen për të tretën herë për krime lufte kundër popullatës civile që dyshohet se i kanë kryer 14 vjet më parë. Tre ish-luftëtarët e Zonës Operative të Llapit do të gjykohen në tri seanca në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë muajin e ardhshëm për një pikë të aktakuzës që ka të bëjë me rrahjen dhe torturimin e civilëve shqiptarë në një kamp të UÇK-së në Llapashticë të Podujevës.

Caktimin e datës 10 korrik për nisje të rigjykimit e ka konfirmuar zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi dhe njëri prej të akuzuarve, Latif Gashi. Në korrik Gjykata e Qarkut në Prishtinë ka caktuar tri data për rigjykim. Përveç 10 korrikut, ka vendosur që edhe më 12 dhe 17 korrik të ketë seancë.

Rigjykimin e tyre e kishte urdhëruar Gjykata Supreme e Kosovës më 26 janar të 2011-s kur kishte shqyrtuar ankesat e palës mbrojtëse. Një kolegj gjyqësor prej pesë gjyqtarësh pati aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut të Prishtinës lidhur me dy pika të aktakuzës që Rrustem Mustafën, Latif Gashin dhe Nazif Mehmetin i bënte fajtor për krime lufte, ndërsa një pikë që ka të bëjë me torturimin e civilëve në një kamp të UÇK-së në Llapashticë e pati kthyer për rigjykim në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, shkruan “Koha Ditore”.

Pika tetë e aktakuzës që pritet t’i nënshtrohet edhe një gjykimi akuzon tre ish-ushtarët e UÇK-së Latif Gashi, Nazif Mehmeti dhe Rrustem Mustafa se prej muajit tetor të vitit 1998 deri nga fundi i muajit prill i vitit 1999, duke vepruar në bashkërendim me persona të tjerë të paidentifikuar dhe në bazë të një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale, kanë urdhëruar dhe kanë marrë pjesë në rrahjen dhe torturimin e civilëve shqiptarë të Kosovës që mbaheshin në paraburgim në Llapashticë, në një përpjekje që të detyrojnë të paraburgosurit të pranojnë veprimet e tradhtisë ndaj UÇK-së.

Gjykata Supreme ka konstatuar se Gjykata e Qarkut e Prishtinës, në aktgjykimin e shpallur në tetor të 2009-s ka pasur shkelje procedurale nga kolegji gjyqësor. Supremja kishte anuluar dënimin e “Grupit të Llapit”. Latif Gashi ishte dënuar nga shkalla e parë me gjashtë vjet burgim, Rrustem Mustafa me katër dhe Nazif Mehmeti me tre vjet.

Latif Gashi që është deputet në Kuvendin e Kosovës i Partisë Demokratike ende nuk ka marrë ftesë me shkrim për këtë gjykim. Gashi ka thënë se “si gjithmonë edhe tash do të jetë në shërbim të drejtësisë”, pavarësisht vendimeve që sipas tij nuk kanë qenë të drejta.


Në tetor të vitit 2009 deputeti Latif Gashi, nënkryetari i PDK-së, dhe ish-deputeti, Rrustem Mustafa dhe Nazif Mehmeti qenë shpallur fajtorë për tri pika të aktakuzës. Dy prej tyre Supremja i ka vërtetuar në tërësi përveç anulimit të dënimit unik. Këtë ia ka lënë shkallës së parë që pas gjykimit edhe të pikës së tetë që do të nisë më 10 korrik ta shqiptojë dënimin unik me burgim.

Ky rigjykim do të jetë i treti. Gjykimi i parë ishte mbajtur në vitin 2003 nga UNMIK-u. Nga kjo gjykatë Rrustem Mustafa-Remi, ish-komandant Zonës Operative të Llapit të UÇK-së ishte dënuar me 17 vjet burgim, Nazif Mehmeti-Drini, komandant i policisë ushtarake në këtë zonë me 13 vjet, Latif Gashi-Lata, komandant i sektorit informativ të UÇK-së në Zonën e Llapit me 10 vjet dhe Naim Kadriu-Lumi, pjesëtar i policisë me 5 vjet burgim, i cili ka vdekur në një aksident komunikacioni. Por Gjykata Supreme e Kosovës, në vitin 2005, e kishte prishur lëndën dhe e kishte kthyer në rigjykim. /Telegrafi/
 

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.
 
 
Magazina
14:42 / 19.06.2013
Rihanna, Foto: Arkiv

Rihanna thyen rekordin në Youtube

Këngëtarja me famë botërore, Rihanna, ka arritur ta tejkalojë artistin e ri, Justin Bieber, për nga shikueshmëria e vide...
Teknologji
14:57 / 19.06.2013
Facebook ka 1 milion reklamues

Facebook ka 1 milion reklamues

Facebook ka arritur në 1 milion reklamues, dhe kjo shifër sinjalizon se rrjeti social është bërë një kanal tashmë “tr...
Ekonomi
12:58 / 19.06.2013

Ministria e Infrastrukturës favorizon kompanitë për mirëmbajtjen e rrugëve

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), akuzon Ministrinë e Infrastrukturës (MI), se përmes kritereve të caktuara të tender...
 

Ky portal mirëmbahet nga kompania "Telegrafi". Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen,
të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të "Telegrafit".
Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t'i pranoni Kushtet e Përdorimit.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2006-2011 Portali Telegrafi

TELEGRAFI sh.p.k.
Rr Bajram Kelmendi Nr.35, Prishtinë, Kosovë
info@telegrafi.com

Zhvilluar dhe dizajnuar nga:
FRAKTON n.p.sh.