Rrihte dhe përdhunonte gruan në sy të fëmijëve
E rrihte, e dhunonte, e izolonte madje i fshihte edhe rrobat për të mos e lënë që të dilte nga shtëpia. Kjo është historia e një 50-vjeçari shqiptar me banim në Terni të Italisë, i cili qëndronte me dokumente të rregullta në shtetin fqinj, por bënte jetë të parregullt të paktën në raport me gruan e tij.NOA njofton se shqiptari u vu në prangat e policisë pasi keqtrajtonte familjen, dhunonte seksualisht të shoqen dhe e kishte kthyer në skllave. Kërkesa për të ndërhyrë në ndalimin e dhunës kishte ardhur nga gruaja, e cila pas tre vitesh që kishte mbërritur në Itali, arriti të telefonojë policinë për t’i dhënë fund makthit të saj.
Gruaja e moshës 38 vjeçare, pasi ishte rrahur për të disatën herë, ishte strehuar në dhomën e tre fëmijëve të saj të moshës 14, 12 dhe 10 vjeçare dhe nga telefoni i dhomës së tyre kërkoi ndihmë nga policia. Në kohën që efektivët e policisë mbërritën në banesën e të dëmtuarës panë të shoqin e saj, i cili zbriste shkallët me vrull, ku dhe e bllokuan.
Shqiptarja kishte mbërritur tre vite më parë në Itali, por i shoqi e kishte ndaluar të punonte apo të komunikonte me njeri, duke i ndaluar edhe telefonin, pasi njëherë që e kishte parë duke folur në telefon me të afërmit e saj, e kishte rrahur duke e katandisur si mos më keq. Në rrëfimin e saj në sy të të shoqit, ajo u tha policëve se ishte detyruar të kryente raporte seksuale të çdo natyre, edhe në prani të fëmijëve, duke u shkaktuar trauma. Pavarësisht tentativave të mbrojtjes, gruaja rrëfeu se kur fëmijët ndërhynin për të shpëtuar nënën, ai i rrihte ata dhe u përdhunonte nënën para syve. /Telegrafi/