Sejdiu takoi presidentin Nishani
Ish- Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu pati një takim me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, të cilin e uroi për zgjedhjen në krye të shtetit dhe shprehu bindjen se eksperienca politike dhe personaliteti i tij garantojnë suksesin në mandatin presidencial.Sejdiu ka shprehur mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme që kanë dhënë dhe po japin të gjitha institucionet shqiptare për Kosovën në vazhdimësi si “borxh i natyrshëm i njerëzve të një gjaku”.
Ndërsa, presidenti Nishani u shpreh se kontributet e ish- presidentit Sejdiu për Kosovën janë kontribute për paqen dhe stabilitetin në rajon duke shtuar se personaliteti i Sejdiut është i lidhur ngushtë me përparimin e Kosovës dhe të ardhmen e rajonit.
Sejdiu është takuar edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Panariti.
Ish- Presidenti Sejdiu, mori pjesë gjithashtu në darkën e shtruar nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, zotëri Sali Berisha , ku të pranishëm ishin edhe ish Presidenti i Kroacisë Stipe Mesic dhe ish Presidenti i Shqipёrisё Alfred Moisiu. /Telegrafi/