Serbët e Kosovës, shpresat te Nikolici

17:33 / 27.05.2012
Politika e Serbisë ndaj Kosovës, deri më tash nuk ka qenë mjaft e qartë dhe transparente, por kjo situatë pritet të ndryshojë pas ndryshimeve në skenën politike në Serbi, të cilat dolën nga zgjedhjet e fundit, ku në krye të shtetit tashmë ka ardhur Tomislav Nikollic, vlerësojnë politikanët serbë të Kosovës.

Marko Jaksic, politikan serb nga veriu i Kosovës, vlerëson se, duke u bazuar në deklaratat e fundit të kryetarit të ri serb, Nikolic, si dhe paralajmërimeve që vijnë nga Beogradi, ndaj Kosovës do të udhëhiqet një koncept tjetër nga ai i deritashmi, kur në krye të shtetit ishte Boris Tadic, raporton REL.

Sipas tij, procesi i bisedimeve të Serbisë, qoftë me Kosovën, qoftë me Brukselin, do të jetë më transparent dhe se qytetarët në Serbi do ta dinë se çfarë po ndodhë dhe për çfarë po bisedohet.

Megjithatë, siç thotë Jaksic, politika ndaj Kosovës do të jetë më e fortë se sa deri më tash.

“Ajo që dimë është se kryetari i ri i Serbisë, por edhe opinioni në Serbi do të kërkojnë nga Bashkimi Evropian që ta bëjë me dije se a po e kushtëzojnë me Kosovën hyrjen e Serbisë në Bashkimin Evropian ose jo. Thjesht, nga kjo do të ndërtohet politika e re në Serbi”, thotë Jaksic.

Por, politikania serbe nga Graçanica, Rada Trajkovic, deputete në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Listës së Përbashkët Serbe, vlerëson se kryetari i ri serb, Tomislav Nikolic, ka ofruar opsion të ngjashëm me atë që ka ofruar ish-kryetari Boris Tadic - rrugëtimin drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Ajo thotë se nuk dyshon se Nikolici do ta ndryshojë kursin.

“Ajo, për të cilën jam gëzuar unë dhe të gjithë, është se me Nikolicin vjen edhe përshpejtimi i lëvizjes drejt Bashkimit Evropian, duke pasur parasysh se kemi pasur edhe partinë e Nikolicit, por edhe partinë e Tadicit, të cilat e kanë ofruar opsionin e Bashkimit Evropian si e ardhme”.

“Ky, në fakt, është një konsensus i plotë. Afër 70 për qind e banorëve të Serbisë ka vendosur për këtë projekt dhe të gjithë ne kemi pritur dhe presim që gjërat të sqarohen dhe se do të jetë një orientim krejtësisht i qartë i Serbisë në këtë drejtim”, shprehet Trajkovic.

Ndryshe, kohë më parë autoritetet serbe kanë theksuar se nuk do të heqin dorë nga politika “Edhe Evropa, edhe Kosova”, si dhe institucionet paralele serbe në Kosovë, të cilat janë kundërshtuar nga zyrtarë të vendeve të fuqishme evropiane.

Jaksic shpreh mendimin se qasja e kryetari të ri serb, Nikolic, dhe qeverisë së re serbe ndaj Kosovës do të ndryshojë vetëm në kuptimin se ajo do të jetë më e fortë.

“Në çfarëdo rasti, unë mendoj se politika ndaj Kosovës do të jetë shumë më e fortë dhe më kombëtare se sa ajo që ka qenë gjatë katër viteve të kaluara. Serbia do të gjendet para dilemës se a do të vendosë për Kosovën apo për Bashkimin Evropian”.

“Mënyra se si janë zhvilluar bisedimet deri më tash, thjesht sjellin deri te fakti se lëshimet e mëtutjeshme të Serbisë ndaj Kosovës rezultojnë me krijimin e Kosovës së pavarur dhe Serbia duhet të vendosë se a dëshiron të shkojë në Bashkimin Evropian, apo të heqë dorë nga territori”, thekson Jaksic.

Por, Trajkovic vlerëson se autoritetet serbe, në një mënyrë e kanë pranuar shkëputjen institucionale të Serbisë nga Kosova.

“Unë mendoj se të gjithë liderët nga Beogradi, duke pranuar që të dalin në zgjedhje, të cilat në Kosovë i ka përcjellë OSBE-ja, duke pranuar ose jo publikisht, në një mënyrë e kanë pranuar shkëputjen institucionale me hapësirën e Kosovës. Këtu është gjithashtu edhe Nikolici, i cili e ka pranuar jolegjitimitetin e zgjedhjeve (lokale) në Zubin Potok dhe Zveçan”, vlerëson Trajkovic.

Ajo shton se nuk pret që kryetari i ri serb, Nikolic, ta ndryshojë shumë qasjen ndaj Kosovës, të cilën më parë e ka pasur Boris Tadici dhe se deklaratat, siç i quan ajo, të forta, më tepër kanë qenë retorikë parazgjedhore.

Sipas Rada Trajkovicit, Nikolici më shumë do t’i kushtojë rëndësi çështjes se sa janë të gatshëm shqiptarët dhe liderët e tyre institucionalë dhe joinstitucionalë, që t’i pranojnë serbët të jetojnë në hapësirën e Kosovës dhe të përfitojë garanci për ta. /Telegrafi/
 

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.
 
 
Magazina
22:27 / 19.06.2013
Noizy

“Po Sikur”, bashkëpunim nga Zanfina dhe Noizy

Reperi nga Shqipëria, Noizy, duket se nuk e ka ndërmend të ndalet, pasi në kuadër të albumit të tij të ri, ai ka publik...
Teknologji
20:19 / 19.06.2013
LG me ekrane të lakueshme dhe të pathyeshme, gjatë vitit!

LG me ekrane të lakueshme dhe të pathyeshme, gjatë vitit!

LG është rrugës për tu bërë prodhuesi i parë i cili do të bëjë prodhimin në masë të ekraneve fleksibile dhe të pa...
Ekonomi
18:43 / 19.06.2013

Varfëria, kërcënim për trazira sociale

Varfëria ekstreme, e cila përkufizohet si jetesa me më pak se 2.5 dollarë në ditë, në Kosovë ka arritur në 30 për qin...
 

Ky portal mirëmbahet nga kompania "Telegrafi". Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen,
të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të "Telegrafit".
Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t'i pranoni Kushtet e Përdorimit.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2006-2011 Portali Telegrafi

TELEGRAFI sh.p.k.
Rr Bajram Kelmendi Nr.35, Prishtinë, Kosovë
info@telegrafi.com

Zhvilluar dhe dizajnuar nga:
FRAKTON n.p.sh.