Serbët e veriut paralajmërojnë trazira

23:18 / 1.04.2013

Ndërkohë që udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë përgatiten të takohen në Bruksel me shpresën për të arritur një marrëveshje, në qendër të vëmendjes do të jetë fati i qytetit të ndarë të Mitrovicës. Banorët serbë nga veriu nuk duan të jetojnë bashkë me shqiptarët dhe nuk duan t’u binden institucioneve të Kosovës.

Branimir Cvetnic e kujton shpesh qytetin e tij të lindjes Mitrovicën, kur ajo ishte një qendër industriale dhe jo simbol i ndarjeve etnike siç është tani.

Veriu i Kosovës, i banuar nga serbët, me një popullsi pre 30 deri në 50 mijë banorësh, ka hedhur poshtë çdo autoritet të Prishtinës, duke krijuar institucionet e tij qeverisëse, spitale dhe shkolla, të gjitha të financuara nga Beogradi.

Aspirata e Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian kushtëzohet nga normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën.

Një udhëheqës kryesor serb tha javën e kaluar se një konflikt i ngrirë nuk është në interes të Serbisë, një shenjë kjo se marrëveshja mund të jetë e afërt.

Por, serbët e Mitrovicës paralajmërojnë se t\'i detyrosh ata dhe shqiptarët të jetojnë së bashku kundër vullnetit të tyre, kjo mund të çojë në trazira ose në një largim të serbëve.

"Nëse këto negociata përfundojnë keq për ne serbët, ne ndoshta do të detyrohemi të largohemi," thotë Cvetnic.

Ndarjet etnike janë të dukshme kudo në Mitrovicë. Ura mbi lumin Ibër është e bllokuar, ndërsa mbi shtyllat elektrike dhe mbi ndërtesa janë varur flamurë serbë. Edhe shenjat e rrugëve janë shkruar në alfabet cirilik, ndërsa monedha zyrtare është dinari, transmeton Zëri i Amerikës.

"Kjo do të jetë gjithmonë pjesë serbe dhe ne nuk do të lëvizim. Nuk më intereson se çfarë marrëveshje arrihet", thotë Gordana Djokovic.

Debati rreth veriut të banuar nga serbët, ka qenë vazhdimisht burim tensionesh dhe incidentesh dhune.

"Ne nuk do t\'i pranojmë institucionet shqiptare ose çdo formë integrimi në sistemin ligjor të Kosovës", thotë Milan Ivanovic, udhëheqës radikal serb në veriun e Kosovës.

Ivanovic kërcënon se katër komunat serbe në veri do të formojnë një të ashtuquajtur asociacion dhe do të deklarojnë se do të jenë pjesë e Serbisë.

Serbia ngul këmbë për një autonomi të shkallës së lartë për serbët e Kosovës, me policinë, gjykatat dhe vetëqeverisjen e tyre.

Por kjo kundërshtohet si ndarje de fakto nga Prishtina, e cila ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe të shumicës së vendeve të Bashkimit Evropian.

Zyrtarët e Prishtinës kanë thënë se nuk lëvizin nga qëndrimi i tyre. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.