Serbët “betonojnë” rrugët në veri

17:18 / 24.01.2013
Serbët e veriut të Kosovës, sërish kanë vënë pengesa në magjistralen Prishtinë-Rashkë, në fshatin Rudare të Zveçanit, për t\'ua pamundësuar kalimin pjesëtarëve të doganave dhe të policisë kufitare të Kosovës.

Në Rudare ata kanë vendosur blloqe betoni, kështu që automjetet kalojnë përmes tyre në formë zig-zage .

Po ashtu, edhe rruga magjistrale Mitrovicë – Ribariç është bllokuar nga ana e serbëve lokalë në Zubin Potok. Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti.

Sipas tij, qarkullimi i automjeteve në këto rrugë nuk është ndalur tërësisht, por është ngadalësuar.

“Policia e Kosovës ka marrë informacion, disa orë më herët gjatë ditës së sotme, për vendosje të bllokadave ose pengesa të qëllimshme në rrugë, me qëllim të ndalimit të njësive të doganave të Kosovës dhe qarkullimi, ndoshta edhe të forcave tjera, të EULEX-it në drejtim të pikave kufitare 1 dhe 31. Përafërsisht, ngjashëm e kemi situatën edhe në magjistralen tjetër, në drejtim të Zubin Potokut, përkatësisht, në Zubin Potok”, tha Hoti.

Kryetari paralel i Zubin Potokut, Slavisa Ristic, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se serbët nuk dëshirojnë t’i lejojnë që të kalojnë automjetet e policisë kufitare dhe doganave të Kosovë, të cilët përmes kësaj rruge, nga Prishtina, do të duhej të shkonin në vendkalimin kufitar të integruar në Jarinë.

Sipas tij, në këtë mënyrë, serbët e veriut po e respektojnë vendimet e mëhershme të të ashtuquajturave Kuvende të Komunave, si dhe po e shprehin në formë të qartë qëndrimin se nuk dëshirojnë që të vendoset dogana në vendkalimet kufitare Jarinë dhe Bërnjak.

“Kjo është përpjekje për t’i kundërshtuar institucionet e Prishtinës, të cilat, fatkeqësisht, me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare po përpiqen të vendosen në territorin tonë. Sidoqoftë, rezistenca do të jetë jo e dhunshme, ashtu sikurse edhe deri më tash: do të thotë rezistencë gandiane”, ka thënë Ristic.

Bllokimi i rrugëve që qojnë drejt vendkalimeve kufitare në veri të vendit, po ndodhë përkundër marrëveshjeve të arritura në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për menaxhimin e integruar të kufirit, si dhe për doganat.

Por, Milan Ivanovic, nga Këshilli Kombëtar Serb, thotë se bllokimi i rrugëve është formë e kundërshtimit të serbëve që të mos pranojnë kurrë farë kufiri dhe dogane ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kjo, sipas tij, është në përputhje me qëndrimet e përfaqësuesve të serbëve të komunave të veriut të vendit. Ai shpreson se veprimi i serbëve të veriut nuk i futë ata, siç thuhet, ndërmjet dy zjarreve, Prishtinës dhe Beogradit.

“Unë shpresoj se ne nuk mund të jemi në një situatë të tillë dhe se shteti i Serbisë do t’i mbështesë kërkesat tona legjitime dhe përpjekjet tona. Fundja, askush nuk mund të na detyrojë me dhunë të bëjmë diçka që është në kundërshtim me atë që vendosim. Praktikisht, populli është sovran dhe kjo qëndron edhe në Kushtetutën e Serbisë”, tha Ivanovic.

Në anën tjetër, Hoti tha se situata në veri nuk varet krejtësisht nga Policia e Kosovës, nëse ajo përshkallëzohet.

“Duhet të ripërsërisim qëndrimin tonë se nuk jemi në situatë në të cilën duhet të përballemi vetëm si institucion, marrë parasysh ndihmën e pakontestueshme të komponentes policore të EULEX-it dhe KFOR-it, për tu përballur me situata, në rast se do të kemi përshkallëzim ose tensionim më tepër apo qëllime për bllokada të tërësishme. Gjithsesi që do të jemi së bashku me këto institucione ndërkombëtare të sigurisë”, u shpreh Hoti.

Ndryshe, Ivanovic ka vlerësuar se bllokimi i rrugëve që qojnë në drejtim të vendkalimeve kufitare në veri, është formë demokratike e protestës, e cila do të vazhdojë ende. Kjo situatë, sipas tij, do të varet krejtësisht nga bisedimet dhe zgjidhjet e mundshme me kompromis. /Telegrafi/
 

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.
Foto: Arkiv
Foto: Arkiv
 
 
Magazina
16:25 / 25.05.2013
Eva Longoria

Eva Longoria e lumtur që është ‘single’

Eva Longoria vazhdon të ndihet shumë e lumtur me jetën si e vetmuar, pasi thotë se nuk ka nevojë për një mashkull në je...
Teknologji
16:01 / 25.05.2013
YouTube me aplikacion të ri për Windows Phone

YouTube me aplikacion të ri për Windows Phone

Google dhe Microsoft kanë rënë dakord të bashkëpunojnë, dhe së bashku të krijojnë aplikacionin autentik të shërbimit...
Ekonomi
15:45 / 25.05.2013

AKR: Akuzat ndaj Ismajlit, me karakter elektoral

Aleanca Kosova e Re, ka reaguar ndaj shkrimeve nëpër media, në të cilat ministri ri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, a...
 

Ky portal mirëmbahet nga kompania "Telegrafi". Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen,
të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të "Telegrafit".
Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t'i pranoni Kushtet e Përdorimit.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2006-2011 Portali Telegrafi

TELEGRAFI sh.p.k.
Rr Bajram Kelmendi Nr.35, Prishtinë, Kosovë
info@telegrafi.com

Zhvilluar dhe dizajnuar nga:
FRAKTON n.p.sh.