Serbia e Maqedonia provokojnë shqiptarët: Festojnë betejën ku masakrohen shqiptarët
Vetëm pak ditë pasi u fol për hapjen e një kapitulli të ri të marrëdhënieve shqiptaro-serbe, me vizitën e ministrit të Jashtë serb në Tiranë, Ivan Mrkic, vjen një provokim nga Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikolic. Ai do të nisë sot një vizitë treditore në Maqedoni, ku do të takohet me liderë të lartë të këtij shteti.Gjatë qëndrimit në këtë vend, Nikolic pritet të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore të 100-vjetorit të Betejës së Kumanovës dhe do të vendosë lule për nder të heronjve të rënë.
Për të gjithë ata që nuk e dinë, Beteja e Kumanovës paraqet fillimin e masakrave ndaj popullit shqiptar dhe spastrimi etnik i territoreve. Kjo betejë është zhvilluar në Luftën e Parë Ballkanike.
Mediet maqedonase raportojnë se Nikolici do të marrë pjesë në këtë ceremoni me ftesë të autoriteteve të Shkupit. Madje, qeveria e Maqedonisë ka përgatitur ceremoni të posaçme dhe ngritjen e një përmendoreje për shënimin e kësaj ngjarjeje.
“Me betejën e Kumanovës filluan masakrat e tmerrshme ndaj shqiptarëve dhe spastrimet të territoreve tona etnike. Kjo datë duhet të përkujtohet si tragjedi e madhe për shqiptarët e jo të lejohet festimi i saj zyrtar”, ka deklaruar kryetari i Shoqatës së Historianëve Shqiptarë në Maqedoni, Skënder Hasani, për gazetën “Lajm”.
Kjo do të jetë vizita e parë e Nikolicit në Maqedoni që pas marrjes së detyrës si president në shtator të këtij viti. Ndërkohë, edhe pse ka kaluar më shumë se një vit pas zgjedhjes si presidente, Atifete Jahjaga ende nuk ka marrë ftesë për vizitë zyrtare në Maqedoni. /Telegrafi/