Serbia shton forcat në Luginë

9:54 / 18.01.2013

Një ditë pas përfundimit të ultimatumit të Qeverisë së Serbisë për drejtuesit e Komunës së Preshevës që ta largojnë Lapidarin e Dëshmorëve, situata në Luginë të Preshevës ka vazhduar të jetë e tendosur, ndërsa, është raportuar për shtim të numrit të policëve gjithandej komunave të populluara me shqiptarë.

Pllaka me emrat e ushtarëve të rënë të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit (ULÇPMB) është vendosur në qendër të qytetit të Preshevës më 28 nëntor të vitit të kaluar, përkatësisht në ditën kur Republika e Shqipërisë ka festuar njëqindvjetorin e themelimit të shtetit, shkruan “Zëri”.

Derisa autoritet serbe kanë vazhduar me “presion psikologjik” ndaj shqiptarëve të Luginës, partitë politike dhe organizatat e ndryshme kanë vazhduar të reagojnë karshi situatës në të cilën ndodhen qytetarët e Luginës së Preshevës.

Qendra Rajonale e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) në Mitrovicë, nëpërmjet një reagimi, ka kërkuar nga institucionet e shtetit shqiptar dhe ato të Kosovës, që t’i mbështesin shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët me vendosmëri mbrojnë lapidarin e ngritur në qendër të Preshevës, për dëshmorët e UÇPMB-së.

“Qendra Rajonale e KMDLNJ-së në Mitrovicë i ka përcjellë me vëmendje zhvillimet në Preshevës, dhe është e shqetësuar për shkak të kërcënimeve të pushtetit serb ndaj shqiptarëve, të cilët janë duke i mbrojtur të drejtat e tyre elementare, të garantuara madje edhe me vetë Kushtetutën e Republikës së Serbisë. KMDLNJ i mbështet pa rezervë qëndrimet dhe vendosmërinë e shqiptarëve, liderëve dhe institucioneve të tyre për ta mbrojtur lapidarin”, thuhet në reagim.

Në reagim theksohet, se përderisa shqiptarët u ngrenë lapidar dëshmorëve të tyre, që kanë rënë në luftë me forcat ushtarake-policore serbe dhe jo me qytetarët serbë, duke mbrojtur pragun e shtëpisë, të drejtat dhe liritë e tyre, që u ishin rrezikuar, serbët e Kosovës kanë ngritur lapidar për ata që kanë bërë krime monstruoze ndaj civilëve, e para së gjithash ndaj fqinjëve të tyre shqiptarë. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.