Serish në flakë bjeshkët e Deçanit
(E plotësuar-14 50) - Zjarri i përhapur në bjeshkët e Deçanit, përkatësisht në bjeshkën e Carrabregut, në vendin e quajtur ,,Bjeshkën e madhe’’ tash e 24 orë e ka përfshirë një sipërfaqe prej rreth 100 hektarë pyje, kurse në bjeshkën “Belle’’ janë djegur rreth 6 hektarë. Janë djegur edhe disa hektarë pyje në afërsi të Manastirit të Deçanit dhe një pjesë të pyllit në fshatin Dashinoc dhe një shtëpi po në këtë fshat.
Drejtori i Shërbimeve publike dhe Emergjencave në Deçan, Admir Hasanaj, ka apeluar tek qytetarët të cilët e njohin këtë teren që t’ju dalin në ndihmë ekipeve të zjarrfikësve për shuarjen e zjarrit, ndonëse, sipas tij, tereni është mjaft i pa papërshtatshëm nga vet fakti se është pjesa ku është zjarri është në sipërfaqe shkëmbore gjë që është pothuajse e pa mundur që të intervenohet nga afër.
Ndryshe Hasanaj, bëri të ditur se që nga dita e djeshme ekipet janë në teren ndërsa sot një ekip prej 20 personsh, duke përfshirë këtu zjarrfikësit dhe një grup vullnetarësh ish- punëtorë të ndërmarrjes “Gjeravica” janë në teren.
Ndërsa, një ekip është duke përpjekur të shuajë zjarrin në malin tek “Gushavci’’ afër Manastirit tw Deçanit. Atyre u kanë shkuar në ndihmë edhe pjesëtarë të FSK-së.
Shefi i brigadës së Zjarrfikësve në Deçan, Besim Selmanaj, thotë se pas ndihmës së kërkuar, një ekip prej 34 pjesëtarëve të FSK-së ka mbërritur dhe po bën përpjekje që të shuaj zjarrin afër Manastirit të Deçanit
“Në vendin e quajtur “Belle ’’në afërsi të bjeshkëve të Strellcit,është përfshirë nga zjarri një sipërfaqe shkëmbore ku deri më tani supozohet se janë djegur 6 hektar më pyje. Atje është e pa mundur të intervenohet, sepse mungojnë pajisjet e mjaftueshme. Atje mund të intervenohet vetëm me helikopterë”, tha Selmanaj, thuhet në një njoftim nga Zyra për Informim e Komunës së Deçanit.
Sipas tij, përveç njësitit të zjarrfikësve të Deçanit dhe qytetarëve të cilët gjinden për momentin në bjeshkë, atyre u janë bashkangjitur edhe njësiti i FSK-së dhe ekipi zjarrfikësve nga Juniku.
elmanaj apelon tek institucionet që ti përgjigjen kërkueses së tyre për ndihmë, kurse nga qytetarët kërkon që të mobilizohen në ndihmë ekipeve në teren për lokalizimin e zjarreve.
Lokalizohen zjarret në bjeshkët e Deçanit
(E plotësuar 13.00) - Zjarrfikësit kanë arritur në malet e Deçanit, të cilat janë përfshirë nga një zjarr i madh, duke vënë në rrezik edhe jetën e banorëve të asaj ane. Raportohet se Bjeshka e Madhe e Deçanit dhe Batusha e Junikut, janë përfshirë nga një zjarr i madh.
Sipas banorëve lokal zjarri është duke shkaktuar dëme të mëdha, ndërsa janë ankuar edhe për mosinteresim të autoriteteve për të ndaluar këtë zjarr.
Ndërkaq, siç raporton KTV, vatrat e zjarreve në bjeshkët e Deçanit janë lokalizuar. Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Zeqir Kelmendi, i ka thënë KTV-së se zjarrfikësit kanë arritur në vendin e ngjarjes dhe kanë marrë situatën në kontroll.
“Aktualisht, nuk ka rrezik, intensiteti i zjarreve ka rënë dhe po punohet në shuarjen e tërësishme të tyre”, ka deklaruar Kelmendi.
Zjarr në bjeshkët e Deçanit
09:43 - Një zjarr i madh që ka nisur prej ditësh në Bjeshkët e Deçanit ka arritur të shpërndahet në shumë pjesë të kësaj ane, përfshirë edhe disa fshatra.
Në fshatin Dashinofc, zjarri ka përfshirë një shtëpi, mirëpo nuk ka rrezikuar jetën e ndonjë qytetari.
Sipas banorëve, zjarri është duke shkaktuar dëme shumë të mëdha dhe ka vënë në rrezik edhe banorët tjerë që janë afër atyre pjesëve.
Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Deçanit, Admir Hasanaj, i ka thënë KTV-së se intervenimi i autoriteteve përgjegjëse gjatë natës ka qenë i pamundur për shkak të terrenit të rrezikshëm.
“Ne kemi kontaktuar me Qendrën e Situatës në Qeveri, dhe kemi vendosur që deri sot në mëngjesin të mos ndërhyjmë, për shkak se terreni është shumë shkëmborë dhe është shumë rrezik”, ka thënë Hasanaj. /Telegrafi/