Serwer: Nuk do të vonojë njohja e Kosovës nga Serbia, shtytësja kryesore Kancelarja Merkel (Video)

22:05 / 7.02.2013

Eksperti për çështjet e Ballkanit, Daniel Serwer, thotë se takimi i djeshëm mes Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe Presidentit të Serbisë Tomislav Nikolic, ishte simbolik por i rëndësishëm.

Serwer, i cili punon në Shkollën Johns Hopkins të Studimeve të Përparuara Ndërkombëtare në Washington, tha për Zërin e Amerikës se njohja e Kosovës nga Serbia nuk do të vonojë, por kryesorja për Kosovën është qeverisja e mirë. Sipas tij, në këtë dialog disa gjëra janë simbolike, por jo pa rëndësi.

"Fakti që Serbia takohet me Kosovën mbi baza të barabarta, në mënyrë plotësisht reciproke dhe simetrike, ka shumë rëndësi”, thotë ai.

Serwer mendon se në dy krahët ka elementë që janë kundër bisedimeve, por nuk e shikon këtë si diçka shqetësuese.

"Kjo është absolutisht normale. Të dyja palët duhet ta ndihmojnë njëra-tjetrën për të qetësuar elementët ekstremistë”.

Analisti amerikan mendon se gjërat mes Prishtinës dhe Beogradit po shkojnë më mirë se sa shumë prej vëzhguesve e kishin parashikuar. Ai thekson se ka rëndësi që njerëzit të kuptojnë arsyen përse po ndodh kështu.

"Kjo nuk ka të bëjë fare me Beogradin dhe Prishtinën, por me Berlinin. Është Berlini ai që po ngul këmbë që Serbia të zgjidhë problemin e veriut të Kosovës, përpara se të marrë datën e fillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, sepse bashkë me anëtarësimin vijnë edhe paratë. Janë paratë ato që kanë rëndësi, pasi Kryeministri Dacic ka nevojë të domosdoshme për fonde. Pra, ka një lojtar tjetër në prapaskenë dhe ky lojtar është Kancelarja gjermane Angela Merkel. Ajo po luan mirë dhe po luan në një mënyrë që e forcon mjaft pozitën e Prishtinës”.

Serwer nuk shikon ndonjë logjikë që Serbia të mos e njohë Kosovën.

"Besoj se Serbia një ditë do të gjykojë me gjakftohtësi dhe do t\'i thotë vetes se kjo është një popullatë që ne nuk mund të pretendojmë se mund ta qeverisim, se Kosova është në fakt një shtet sovran me institucionet e veta dhe me forcën e vetë të sigurisë. Përse të gënjejmë veten? Përparësia jonë është të hyjmë në Bashkimin Evropian dhe të hyjmë shpejt".

Sipas tij, në fillim Serbia do të tërhiqet dhe do të lejojë anëtarësimin e Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, gjë që, sipas tij, mund të ndodhë relativisht shpejt. Por, ai thotë se njerëzit në Kosovë nuk duhet të shqetësohen shumë për këto. Sipas tij, gjëja kryesore për Kosovën është të qeverisë mirë. Kjo do të thotë të qeverisë mirë të gjithë popullatën. Sa më shumë që institucionet e Kosovës të bëhen gjithëpërfshirëse, aq më mirë do të jetë Kosova”.

Sa i përket veriut të Kosovës, Serwer parashikon se atje do të vihet në jetë njëqind për qind Plani Ahtisaari.

"Për arsye që unë ende nuk i kuptoj, Serbia është shumë e lidhur me veriun, edhe pse atje nuk jeton pjesa më e madhe e komunitetit serb të Kosovës dhe nuk ka monumente apo manastire serbe. Veriu do të qeveriset në bazë të Planit Ahtisaari”. /Telegrafi/

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.