Sfida në përmirësimin e kornizës ligjore kundër korrupsionit

17:51 / 26.02.2013

Pavarësisht që institucionet e Kosovës, kanë miratuar një numër të konsiderueshëm të ligjeve që thuhet se janë në harmoni me ato të Bashkimit Evropian, ekzistojnë ende ligje të cilat duhet amandamentuar. Në Planin e Veprimit për negocim të Marrëveshjes së Stabilizim - Asociimit, të cilin e ka miratuar Qeveria e Kosovës, thuhet se në drejtim të arritjes së kësaj marrëveshjeje me Bashkimin Evropian, sfidë mbetet përmirësimi i kornizës ligjore në luftimin e korrupsionit dhe harmonizimi i legjislacionit me BE-në.

Në dokument thuhet se në veçanti, ligji për parandalimin e konfliktit të interesit dhe ligji për deklarimin dhe kontrollin e pasurisë së zyrtarëve të lartë, duhet të qartësohen në disa nene.

Më tej, në dokument thuhet se sfidë mbetet edhe plotësim/ndryshimi i ligjit për financimin e partive politike.

Udhëheqësi i Organizatës për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, Avni Zogiani, ka thënë se problemi i vërtetë i ndërtimit të infrastrukturës ligjore dhe institucionale, si dhe harmonizimi i ligjeve me ato BE-së, qëndron para se gjithash te politika kosovare, por një pjesë të përgjegjësive i mbajnë edhe përfaqësuesit e BE-së në Kosovës.

“Infrastruktura ligjore përgjithësisht kundër korrupsionit në Kosovës është konfliktuoze. Nuk është moderne, është jo efektive edhe ndonjëherë krijohet përshtypja që është krijuar e tillë që qëllimisht të jetë jofunksionale".

"Duke qenë se kemi një bashkësi evropiane të pa konsensus rreth statusit të Kosovës, siç duket ekziston edhe një mos gatishmëri e Evropës për ta afruar Kosovën më afër integrimeve”, tha Zogiani për REL.

Ai tha po ashtu se Kuvendi i Kosovës ka miratua shumë ligje të cilat nuk është dashur të miratohen, gjë që sipas tij, tash ato ligje duhet të rikthehen edhe një herë për ndryshime.

“Në Kosovë kemi ligje të tera që në përsëriten të njëjtat ligje me defekte serioze pa asnjë ndërhyrje të bashkësisë evropiane. Pse? Unë mendoj kjo është para së gjithash se nuk është Kosova një herë për një herë në radhë për të filluar Stabilizim-Asociimin, e as marrëveshjen për heqjen e vizave. Thjesht është një ushqim i pritjeve për opinionin publik”, tha Zogiani.

Në Agjencinë Kundër Korrupsionit, organ ky përgjegjës për zbatimin e politikave shtetërore për luftimin dhe parandalimin e korrupsionit, thonë se Kosova ka ligje të mjaftueshme për luftimin e korrupsionit por, sipas tyre, ligjet nuk po zbatohen.

Drejtori i kësaj agjencie, Hasan Preteni, tha për Radion Evropa e Lirë se ligjet të cilat ndihmojnë në luftën kundër korrupsionit, duhet që sa më parë të fuqizohen.

Sipas tij, ligjet të cilat kanë nevojë të ndryshohen tashmë kanë hyre në agjendën e legjislativit për ndryshime.

“Mendoj që kjo çështje tashmë ka hyre në strategjinë legjislative për këtë vit dhe në pjesën e legjislacionit që në ekzekutiv e ngarkojnë agjencinë janë dy ligjet për të cilat premtimet janë që ato do të realizohen në pjese e parë të këtij viti".

"Është ligji për deklarimin dhe kontrollin e pasurisë dhe Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit. Këto dy ligje do të amendamentohen ose do të ndryshojnë varësisht prej asaj se çfarë ndryshimesh do të dalin”, shpjegoi Preteni.

Zyrtarët e ekzekutivit deklarojnë se në fushën e luftimit të korrupsionit, qeveria ka krijuar kornizën e nevojshme të politikave dhe asaj ligjore kundër korrupsionit si dhe ka themeluar institucionet kyçe me qëllim të zbatimit të legjislacionit dhe politikave kundër korrupsionit.

Ata kanë theksuar se veçanërisht veprime janë ndërmarr në fushën e raportimit, zbulimit dhe hetimit të korrupsionit, si dhe zbatimin e Strategjisë dhe Planit të Veprimit kundër korrupsion. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.