SHBA përshëndet aktin e nderimit të dëshmorëve të UÇK-së
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka përshëndetur prijën e vazhdueshme dhe guximtare të ministrit të Mbrojtjes së Maqedonisë, Fatmir Besimi, në përfaqësimin dhe shërbimin e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë.E pyetur nga ALSAT M, për qëndrim lidhur me aktin e nderimit të dëshmorëve të UÇK-së nga pjesëtarët e ARM-së dhe ministrat e Qeverisë, akt që shkaktoi reagime të shumta, ambasada në qëndrimin e saj thotë:
“Para njëmbëdhjetë vite Maqedonia u ballafaqua me rrezikun e një lufte të përgjakur qytetare, dhe familje në tërë vendin ende vajtojnë për humbjen e të dashurve të tyre gjatë dhunës të vitit 2001. Nënshkrimi i Marrëveshjes kornizë me 13 gusht shmangu luftën, dhe mundësoi progresin e Maqedonisë si një demokraci e bashkuar, dinamike dhe e sigurtë”.
“Vizioni dhe patriotizmi i liderëve si ministri Besimi kanë rëndësi kyçe për procesin e shërimit të plagëve që i pësuan të dy anët në atë konflikt, dhe për të ndihmuar që Maqedonia të bëhet një vend që ofron paqë dhe prosperitet për të gjithë qytetarët pa marrë parasysh përkatësinë etnike, gjininë, fenë apo bindjet politike", thuhet mes tjerash në komunikatën e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoni. /Telegrafi/