SHBA sanksionon Hizballahun për lidhjet me Assadin
Shtetet e Bashkuara kanë futur grupin militant të Hizballahut në listën e organizatave të sanksionuara për shkak të lidhjeve të tij me regjimin e presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad. Në deklaratën e Departamentit të Thesarit, thuhet se grupi me seli në Liban ka rol integral në dhunën e vazhdueshme që kryen regjimi i Assadit mbi popullin sirian, përfshirë trajnime, këshilla dhe mbështetje të gjerë logjistike.
Departamenti po ashtu thotë se Hizballahu ka koordinuar mbështetjen e tij për Assadin me forcat e Gardës Revolucionare të Iranit.
Nënsekretari amerikan për Çështje të Terrorizmit dhe të Inteligjencës Financiare, David Cohen, ka thënë se sirianët dhe komuniteti ndërkombëtar nuk do të harrojnë kontributin e Hizballahut dhe të mbrojtësit të tij, Iranit, në vrasjen e mijëra civilëve.
Shtetet e Bashkuara kanë shpallur Hizballahun organizatë terroriste qysh në vitin 1995. /Telegrafi/