SHBA-të mbuluan masakrën sovjetike
Prova të reja të zbuluara duket se mbështesin idenë se administrata e ish presidentit amerikan Roosevelt ndihmoi për të mbuluar fajin e Bashkimit Sovjetik për masakrën e vitit 1940 të Katinit ndaj ushtarëve polakë.Në një histori ekskluzive, “Associated Press” thotë se dokumentet e reja të publikuara mbështesin dyshimet se SHBA nuk donin ta inatosnin aleatin e tyre të asaj kohe, Joseph Stalin.
Dokumentet janë bërë publike nga Arkiva Kombëtare e Shteteve të Bashkuara ditën e hënë.
Mbi 22 mijë polakë u vranë nga trupat sovjetike nën urdhrat e Stalinit. Rusia sovjetike e pranoi masakrën në vitin 1990, pasi fajësoi nazistët për pesë dekada.
Dokumentet tregojnë se të burgosurit amerikanë të luftës dërguan mesazhe të koduara në Uashington në vitin 1943, për të thënë se kishin parë trupa në gjendje dekompozimi në pyllin Katin, në afërsi të Smolenskut, në perëndim të Rusisë.
Grupi i ushtarëve amerikane dhe atyre britanikë ishin marrë nga trupat naziste kundër vullnetit të tyre për të qenë dëshmitarë në vendin e ngjarjes, transmeton TCH.
Informacioni provon se vrasjet nuk janë kryer nga nazistët, që vetëm së fundmi kishin pushtuar zonën. Materiali i ri pothuajse 1 mijë faqe do të ndihmojë në përcaktimin e asaj që dinin Shtetet e Bashkuara dhe kur e dinin. /Telegrafi/