Shpërthen bomba para Kishës, terrorizohen pogradecarët
Policia e Pogradecit ka shpallur në kërkim një 24-vjeçar nga Korça, pasi akuzohet për “Prishje të qetësisë publike” dhe “Prodhim e mbajtje pa leje të armëve e municioneve luftarake”.Bëhet fjalë për Ervin Narellarin nga Elbasani, banues në lagjen nr.7 të qytetit të Korçës, raporton BalkanWeb.
Burime nga policia lokale bëjnë me dije, se pasditen e së hënës, rreth orës 14:15, Narellari ka hedhur një ndezës të unifikuar te lulishtja para Kishës së re në qytetin e Pogradecit. Shpërthimi i fortë ka shkaktuar panik tek qytetarët e shumtë, por fatmirësisht nuk ka pasur viktima. Kalimtarë të rastit kanë deklaruar se kanë dëgjuar një zhurmë shurdhuese, dhe se një re e madhe tymi mbuloi zonën.
Pas sinjalizimit për shpërthimin e bombës, efektivat blu kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Nga kryerja e veprimeve hetimore është bërë i mundur identifikimi i autorit të krimit, i cili është shpallur në kërkim. Ndonëse dihet autori, ende nuk dihet motivi i ngjarjes.
Policia po punon intensivisht për kapjen e 24-vjeçarit. Materialet në ngarkim të Ervin Narellarit i janë përcjellë për hetime të mëtejshme prokurorisë së Pogradecit. /Telegrafi/