Shqetësuese, numri i përdoruesve të drogës

14:04 / 18.01.2013

Narkomania si fenomen ka filluar të bëhet çdo ditë e me shqetësuese për shkak të rritjes së numrit të përdoruesve, vlerësojnë për Telegrafin sociologë dhe drejtues të OJQ-ve. Trendi i rritjes është shqetësues sidomos në mesin e adoleshentëve, ku mosha mesatare e fillimit të përdorimit të drogave ka rënë në 12-13 vjet.

Referuar statistikave të organizatës joqeveritare “Labirinti”, numri i përdoruesve që varen nga përdorimi i drogës sillet prej 3000-5000.

Sipas statistikave të Policisë së Kosovës në vitin 2012 janë konfiskuar 94 kilogramë heroinë, 1237 kg marihuanë, 7 kg kokainë, 12508 fara kanabisi dhe 153 ekstazi.

Ekspertët alarmojnë për një qasje me serioze të institucioneve shtetërore dhe shoqërisë në përgjithësi karshi këtij problemi.

Drejtori i OJQ-së “Labirinti”, Safet Blakaj në një deklaratë për Telegrafin tregon se numri i përafërt i përdoruesve që janë të varur nga drogat sillet nga 3000 deri 5000. Ky numër vlerësohet shumëfish më i madh nëse llogaritet përdorimi edhe i marihuanës.

Blakaj shqetësim tjetër paraqiti edhe moshën e përdorimit të drogave, që tashmë ka rënë në 12-13 vjet.

“Mosha mesatare e fillimit të drogës është 16.5 vjet. Ndërsa mosha mesatare kur kalohet në varësi nga drogat është 21 vjet. Në drogat me përdorim më të madh mbetet Kanabisi (marihuana) në vendin e parë, heroina, kokaina, pastaj vijnë drogat të ashtuquajtura drogat e klubeve ‘extazi’ etj”, tha ai, duke shtuar se është i pakënaqur edhe me mungesën e programeve të rehabilitimit në Kosovë.

Sociologu, Fadil Maloku në një prononcim për Telegrafin thekson se mundësitë e përdorimit të drogës janë të shumta për shkakun se shoqëria kosovare definitivisht ka bërë një hapje të “pa kontrolluar”, në kuptimin që ka pranuar çdo vlerë deviante pa kurrfarë selektimi.

Sipas tij, fenomeni i narkomanisë prodhon pasoja sociale, shpenzime enorme materiale, abstenim nga pjesëmarrja dhe shfrytëzimi i të drejtave të garantuara qytetare, etj.

Ai tha se shkaqet më të shpeshta të përdorimit të drogave janë: kureshtja në moshën e adoleshencës, pastaj, mundësia e ikjes nga realiteti, zhgënjimi nga zhvillimet dhe perspektiva qoftë ajo personale apo familjare, ndikimi i rrethit etj. /Telegrafi/

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.