Shqipëria faktor kryesor për stabilitetin në rajon
Kryeministri Sali Berisha, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Hungari, zhvilloi një takim me homologun e tij hungarez Viktor Orban. Në një konferencë të përbashkët për shtyp kryeministri hungarez vlerësoi përpjekjet e popullit shqiptar , i cili përballoi vuajtjet e diktaturës komuniste dhe mundi të jetojë në demokraci.
“Për sa i përket lidhjes midis popujve tanë, midis shteteve tona , midis Hungarisë dhe Shqipërisë, lidhjet nuk janë të rëndësishme vetëm sepse ne jemi miq me njëri –tjetrin, por sepse Shqipëria është një shtet i rëndësishëm dhe, pavarësisht se tani është i rëndësishëm si shtet, në të ardhmen do të jetë akoma edhe më i rëndësishëm dhe të njëjtën gjë do ta shikojë edhe Evropa”,u shpreh kryeministri hungarez.
Kryeministri Orban duke vlerësuar Shqipërinë si faktor stabiliteti në rajon, u shpreh se mirëpret integrimin sa më të shpejtë të saj në Bashkimin Evropian.
“Unë mendoj se në vitet e ardhshme, potenciali më i madh për rritjen ekonomike në Evropë do të jetë pikërisht nga rajoni i Ballkanit. Kështu që, mendimi im është që, në qoftë se Evropa në të ardhmen do të ecë para, kjo do të ndodhë vetëm sepse ajo do të ketë partnerë potencialë nga ana e vendeve të Ballkanit. Pyetja është se cili do të ishte hapi i parë që duhet të bënim për të rritur ekonominë në Evropë?. Për mendimin tim hapi i parë do të ishte që shtetet e Ballkanit Perëndimor të hynin në Bashkimin Evropian. Prandaj, jo vetëm ne, por edhe Evropa, e ka të rëndësishme që Shqipëria të bëhet pjesë e Komunitetit Evropian. Shpresoj që kjo gjë të ndodhë sa më shpejt, pra që Shqipëria të hyjë në BE. Kjo do të ishte një gjë e mirë jo vetëm për Evropën, por edhe për shqiptarët kudo që ata të ndodhen, qoftë brenda kufijve të Shqipërisë, qoftë jashtë tyre”, theksoi Orban, shkruan BalkanWeb.
Nga ana e tij kryeministri Berisha duke e falënderuar homologun e tij për kontributin e madh që vendi i tij i ka dhënë Shqipërisë bëri ftesë investitorëve hungarez të vijnë në Shqipëri.
“Ne diskutuam gjerësisht për intensifikimin e marrëdhënieve tona në të gjitha fusha, në mënyrë të veçantë në fushën ekonomike, ku ka një hapësirë shumë më të madhe bashkëpunimi. Shqipëria bëhet çdo ditë e më shumë një vend me interes të veçante nga investitorët dhe ka një klimë miqësore ndaj biznesit. Në fushën energjisë, ne jemi vend i pasur në ujëra dhe kompani nga e gjithë bota po ndërtojnë hidrocentrale në Shqipëri. Shqipëria po ndërton një infrastrukturë tërësish të re rrugore, ku kompani nga e gjithë bota po marrin pjesë në tender në ndërtimin e kësaj infrastrukture. Kompanitë hungareze janë të mirëpritura në këto drejtime”, deklaroi Berisha. /Telegrafi/