Shqiptarët nuk futen në lojë
Paralajmërimi për koalicion mes liderëve të LSDM-së, Branko Crvenkovski dhe VMRO-PP, Ljubco Georgievskit është vetëm tentim që të kthehen në pushtet, por qytetarët do t'u tregojnë se nuk ka kthim prapa. Ky ka qenë komenti i liderit të VMRO-DPMNE-së, njëherësh kryeministër i vendit, Nikolla Gruevski lidhur me bashkëpunimin e dy ish rivalëve Crvenkovski e Georgievksi.“Do më paraqet kënaqësi në periudhën e ardhshme të jem në krye të qytetarëve të cilët njërit do t'i tregojnë se nuk ka kthim mbrapa, ndërsa tjetrin do ta dërgojnë te i pari. Unë do të thosha një fotografi njëmijë fjalë. Shikoni fotografinë dhe nuk e di nëse ka diçka të komentohet. Unë sot në mëngjes shikova një fotografi në një gazetë ditore ku janë fotografuar së bashku, duket që ka qenë foto sesion special në të cilën shohim një fytyrë më të gëzuar dhe një njeri të pikëlluar. Te i gëzuari ka ndonjë shpresë se kjo do ta kthejë në politikë, sepse është hedhur para shumë viteve. I pikëlluari mendoj se në një mënyrë është i vetëdijshëm se kjo nuk do t'i ndihmojë të mos e përfundojë në mënyrë katastrofale karrierën e tij edhe pse bën përpjekjeje dëshpëruese ta parandalojë atë”, tha kryeministri Gruevski, njofton Zhurnal.

Ai duke e komentuar deklaratën e tyre se shteti qenka në krizë dhe për këtë janë bashkuar duke bërë koalicion të tillë joparimor, e vlerësoi, “si krizë të vetë atyre dhe prirje për pushtet”. “Problemi është kriza e tyre, kriza për pushtet, kriza për fuqi, kriza për kolltukë, kriza për atë që qytetarët ua dhanë dhe e keqpërdorën dhe qytetarët ua morën. Ajo është krizë e tyre. Mua më vjen mirë që jam në anën e kundërt të këtyre dy njerëzve dhe vlerave të tyre. Do më vijë mirë në periudhën e ardhshme të jem në krye të qytetarëve të cilët njërit do t'i tregojnë se nuk ka kthim mbrapa, ndërsa tjetrin do ta dërgojnë te i pari", tha kryeministri Nikolla Gruevski pas ndarjes së marrëveshjeve për bursim të 12 studentëve në 100 universitetet më mirë të ranguara në botë sipas Listës së Shangait.
Ndërkohë, kanë pasuar edhe reagimet e partive shqiptare lidhur me bashkëpunimin e LSDM-së me VMRO-PP. Sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Abdilaqim Ademi, madje tha se parimisht nuk ka asgjë kundër dhe nuk mund të kundërshtojë çfarëdo lloj koalicioni që bënë opozita ose ndonjë subjekt tjetër.
Nga RDK-ja e Rufi Osmanit, nënvizuan se rrugët janë të ndara, sepse intenca e tyre është për realizimin e shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë, kurse intenca e këtij koalicioni është për rrëzimin e qeverisë së Gruevskit.
Ndërkohë, nga PDSH-ja theksuan se nuk kanë ndonjë qëndrim lidhur me ftesën që bërën ndaj opozitës shqiptare Crvenkovski dhe Georgievski. /Telegrafi/