Shqiptarët u bënë gati për terrin apokaliptik: Dyqanet s’arritën t’u japin xhevap kërkesave për qirinj

10:43 / 22.12.2012

Për të ndërmarrë të gjitha masat e duhura, kosovarëve iu desh vetëm një lajm që u transmetua në mbarë botën. Shumica vrapuan nëpër dyqane, e disa të tjerë mbushën edhe bidonët e mëdhenj me ujë. Të gjithë krijuan rezerva për gjërat elementare që t’i kenë në rast se ndodh ajo që u paralajmërua: apokalipsi!

Ka ditë që nëpër media qarkullonin lloj-lloj informatash rreth datës 21dhjetor. Disa thonë se kjo ishte dita e fundit që bota do të ekzistojë, e disa të tjerë sqarojnë se me këtë datë nuk ndodh asgjë vetëm se bota do ta përfshijë terri për plot tri ditë të tëra. Një lajm i tillë ka ndikuar edhe në familjet kosovare, raporton “Express”.

Vetëm një ditë para kësaj date, shumë prej tyre ua mësynë dyqaneve më të afërta për t’u furnizuar me artikuj të ndryshëm. E produkti që u shit ndër më të shumtët ishin qirinjtë.

Gjatë gjithë ditës së enjte qytetarët blenë qirinj me bollëk, në rast se ndalet rryma siç u paralajmërua. Sipas menaxherëve të marketeve, ky është produkti që u shit më së shumti nëpër pothuajse të gjitha dyqanet e Kosovës. Shpresa Ahmeti, menaxhere në “Interex”, sqaron se vetëm të enjten dyqani ku ajo punon ka shitur mbi shtatë kuti qirinj.

“Kemi pas shumë raste që kemi shit qirinj gjatë këtyre ditëve të fundit. Por, vetëm të enjten kemi shitur gjithsej shtatë paketa. Thashë sa shumë po ndalet rryma, duke harruar datën 21”, pohon ajo.

Ahmeti tregon se në shifra shitja e qirinjve nuk është shumë e madhe, por është hera e parë që sipas saj, “Interex” ka shit shtatë paketa për vetëm tri orë.

Megjithëse, jo të gjitha bizneseve nuk i dolën llogaritë siç i pritën. Disa dyqane nuk patën shumë punë siç menduan se do të kenë. Ramiz Kelmendi, pronar i “Elkos Group”, thotë se është përgatitur që dyqanet e tij të kenë më shumë punë datën kur shumë e menduan si dita e kiameti, e kjo nuk ka ndodhur.

“Por, kam pasur kërkesa nga punëtorët për mos me dalë në punë të premten”, pohon ai.

Berat Rukiqi, sekretar i Odës Ekonomike, sqaron se njerëzit blejnë produkte për t’u siguruar për një situatë të paqenë, por që ju krijon bindjen se janë më të sigurt.

Sidoqoftë, proklamimet se dita e 21 dhjetorit do të jetë fundi i botës janë cilësuar si të pavërteta nga përfaqësues fetarë dhe astrologë në Kosovë. Përfaqësues të bashkësive fetare në Kosovë kanë thënë që ditën e “kiametit” e di vetëm Zoti, por, sipas tyre, nuk ka ndonjë shenjë që ajo do të jetë më 21 dhjetor.

Një informacion të tillë e ka demantuar edhe vetë Agjencia Amerikane e Hapësirës (NASA).

Sipas një lajmi që ka qarkulluar me ditë të tëra nëpër media, thuhej se Toka do të futet në një unazë të palëvizshme satelitore të quajtur rripi fotonik dhe në orën 1:00 pas mesnate me orën kolumbiane do të ketë errësirë totale e cila do të zgjasë tri dite resht. /Telegrafi/

 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.