Shqiptarët veriorë të harruar

15:19 / 12.06.2013

Probleme të mëdha për mbijetesë kanë banorët e fshatrave shqiptare të Zveçanit, Boletin, Kelmend e Zhazhë. Atyre u mungon gjithçka, edhe infrastruktura rrugore, edhe uji i pijshëm. Shumë familje po i braktisin fshatrat e tyre, në mungesë të gjithçkaje që u duhet për të jetuar. Ata thonë se janë harruar plotësisht nga institucionet shqiptare, përkatësisht nga komuna e Mitrovicës, ndërsa ajo e Zveçanit nuk dëshiron fare të përkujdeset për mirëqenien e tyre, pasi që nuk i konsideron qytetarët të barabartë.

Mosfunksionimi si duhet i zyrës lokale ka krijuar një hendek ndarës mes qytetarëve të këtyre vendbanimeve dhe pushtetit lokal e qendror, thuajse ata nuk janë banorë të Kosovës, shkruan gazeta “Zëri”.

Ata kanë potencuar se kanë nevojë për “dorën” institucionale në ato vendbanime, për mbështetje të zgjidhjes së problemeve dhe vështirësive me të cilat përballen, posaçërisht në ndërtimin infrastrukturës, mbështetjes së rindërtimit e kthimit dhe mbështetjes së projekteve për bujqësi e blegtori.

Të shkëputur “si peshku në rërë“

Gjendja në fshatrat shqiptare, Boletin, Kelmend e Zhazhë të komunës së Zveçanit le shumë për të dëshiruar, ato ndodhën në pjesën kodrinore malore të Shalës së Bajgorës, mirëpo përkundër gatishmërisë për jetë atje, në mungesë të kushteve, shumë familje detyrohen të migrojnë, natyrisht, nëse këtë se kanë bërë deri më tash.

Në vendlindjen e heroit Isa Boletini, atje ku ndodhet kulla e tij e riparuar pjesërisht nga Ministria e Kulturës, jetojnë vetëm 2-3 familje, të cilat përballen me mungesë të kushteve elementare për jetë, siç uji, rruga rrjeti i dobët elektrik, kanalizimi.

Ndërkaq, në Kelmend dhe Zhazhë ka shumë familje, mirëpo edhe këtu ka mungesë të kushteve që nga infrastruktura, mbështetja e rindërtimit të shtëpive, mungesa e ujit të pijshëm, rrjetit të ujësjellësit, transporti deri në Mitrovicë, mbështetja e transportit të nxënësve dhe studentëve, lidhja e rrugëve brenda lagjeve në këto lokalitete si dhe mospërgjegjësia e zyrës lokale.

“Kemi mbetur të shkëputur si peshku në rërë”, thonë banorët, të cilët që në fillim kritikojnë ashpër Zyrën Lokale për Komunitete, por edhe pushtetin qendror pse nuk e shtrin autoritetin edhe në atë pjesë, për të mundësuar jetë normale të të gjithë banorëve.

Xhevat Peci, banor i Boletinit, thotë se banorët ndjehen të anashkaluar dhe të harruar nga pushteti lokal dhe ai qendror dhe ata nuk dinë adresën ku duhet t’i prezantojnë nevojat dhe kërkesat imediate për jetë normale. Sipas tij, kjo është gjendja edhe e vendbanimeve tjera dhe lokaliteteve që ndodhen në komunat veriore të Kosovës.

“Problemet që kanë banorët e këtyre fshatrave ndërlikohen, pasi Zveçani, sikurse edhe komunat tjera veriore nuk zbatojnë ligin për administrim lokal, me këtë as nuk mbështesin apo ndihmojnë banorët shqiptarë të këtyre lokaliteteve”, ka thënë Peci.

Gjendja e vështirë është konfirmuar edhe nga një hulumtim që është kryer muaj më parë në këto fshatra. Sipas hulumtimit, banorët e Zhazhës, Kelmendit dhe Boletinit kanë problem me rindërtimin e shtëpive, pasi ka shumë familje që duan të kthehen në pronat e tyre, nuk kanë ujë të pijes, mungon transporti i nxënësve dhe studentëve, kanë rrjetë të stërvjerëtuar elektrik, mungojnë rrugët dhe nuk funksionon si duhet i zyrës lokale.

Rrustem Peci, po ashtu i rikthyer pas luftës në vendlindjen e tij, shprehet se "qytetarët e këtyre lokaliteteve kanë mbetur të shkëputur dhe nuk dinë cilës komunë të i drejtohen për kërkesat dhe nevojat e veta, pasi mungojnë dy nga hallkat e zinxhirit të organizmit të mirëfilltë të jetës publike, konkretisht zyra lokale është pothuajse jofunksionale dhe nuk ka lidhshmëri, koordinim as bashkëpunim me pushtetin lokal (në këtë rast komunën e Zveçanit, pasi ato nuk i përgjigjen Ministrisë së Pushtetit Lokal) dhe përmes saj me pushtetin qendror".

“Duke qenë në këtë situatë të pasigurisë, mungesës së lëvizjes dhe izolimit, ne kemi mbetur jashtë çdo procesi dhe zhvillimi, duke vënë në pyetje edhe ekzistencën fizike”, thotë ai.

Presioni me kamerat e Manastirit

Xhevat Peci, boletinas, ka theksuar edhe mungesën e mbështetjes për kthim, pasi ka familje që duan të kthehen në Boletin dhe të jetojnë në pronat e veta, ndonëse janë vazhdimisht nën presion të serbëve dhe Manastirit Sokolica, duke qenë përherë të vëzhguar nga kamera të vendosura përreth manastirit.

Manastiri i Sokolicës, i cili është ndërtuar pothuajse ngjitas me kullën e Isa Boletinit, është ndoshta problemi më i madh që nuk i lë rehat banorët dhe mu për këtë shumë familje nuk duan të kthehen.

Shumë kamera të vendosura në pjesë të ndryshme, me anë të së cilave vëzhgohen lëvizjet e banorëve shqiptarë të Boletinit, kanë shtuar presionin mbi edhe ata shqiptarë që kanë mbetur, që t’i lëshojnë trojet e tyre dhe të shpërngulen. Po qe se largohen edhe këto 3-4 familje, atëherë kulla e Isa Boletinit, të cilën serbët këmbëngulin se ndodhet në pronën e Manastirit të Sokolicës, dhe nëse ata pyeten, një ditë do të mund edhe të mos jetë.

Një zyrtar i Ministrisë së Administratës së Pushtetit Lokal, Kujtim Aliu, pati deklaruar gjatë një debati, se me marrëveshjen e Brukselit, besohet se komunat veriore do të hyjnë në sistemin rregullues të vendit dhe ato do t’u ofrojnë mbështetje banorëve të këtyre fshatrave. /Telegrafi/

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.