Si i lëshuan shqiptarët dy raketa në Kazakistan

13:12 / 2.02.2013

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik ishin përkeqësuar së tepërmi. Pikërisht, kur në Moskë kremtohej përvjetori i Revolucionit Bolshevik dhe një delegacion i përfaqësimit të lartë shqiptar ndodhej në Kremlin, Regjimenti i Raketave të Tiranës kishte ndërmarrë udhëtimin e gjatë për në shkretëtirën e Kazakistanit. Një dokument i pandryshueshëm, nënshkruar kohë më parë, në kuadrin e Traktatit të Varshavës, detyronte Bashkimin Sovjetik t’i hapte rrugën 112 ushtarakëve shqiptarë për të realizuar qitjen e parë dhe të vetme të tyre me raketa...

Pesëdhjetedy vite më vonë, ish-komisari i Regjimentit të Raketave, Namik Shehaj, do të tregonte me ngjyra të gjalla, atë çka ndodhi në udhëtimin e jashtëzakonshëm të efektivit shqiptar nga porti i Vlorës, deri në poligonin e qitjes në Kazakistan dhe kthim.

“Në shtator ‘60 na njoftuan se në bazë të marrëveshjes së nënshkruar në kuadrin e ‘Traktatit të Varshavës’, në fundin e vitit do të shkonim në BS, për të realizuar qitjen luftarake me raketa kundërajrore në shkretëtirën e Kazakistanit, ku ishte dhe poligoni i posaçëm. Kurse 150-200 kilometra në lindje të këtij poligoni, ndodhej edhe ai i qitjes me avionë reaktivë. U bë dhe caktimi i kuadrove dhe filloi një stërvitje intensive, për të rritur shkallën e njohurive, veçanërisht, për qitje me raketa. Në fund të çdo jave na merrnin në provim, mbi shërbimet profilaktike, që u bëheshin parametrave të ndryshëm të kompleksit drejtues të raketave, ku bënte pjesë aparatura dhënëse-marrëse, ajo e drejtimit-indikator, aparatura e koordinatave dhe aparatura e linjave. Aparaturat e koordinatave dhe komandave ishin, si të thuash, truri i këtij sistemi drejtues. Në fund të këtij kursi intensiv ne realizuam deri në katër qitje në ‘shurdhëri’. Quheshin të tilla, sepse bëheshin veprime të plota për lëshimin e raketës, por, kur vinte ky çast, në vend të raketës, lëshohej nga aparatura e imitacionit një sinjal në formë trekëndëshi, që quhej ‘paçkë’, i cili i afrohej objektivit real, pra, avionit, si të ishte vetë raketa. Dhe, kur arrinte distancën e caktuar nga avioni, realizohej shpërthimi e asgjësimi. Kështu, pasi përfunduam këtë punë, morëm porosi që familjeve të mos u thoshim se do të shkonin në BS, por t’u shpjegonim se do të shkonim me shërbim e do të vonoheshim rreth dy muaj”, thotë Shehaj për Shekullin.

Duke u aguar 31 tetori ’60, me një kolonë të gjatë makinash, nga Pezë-Helmësi, trupat shqiptare nisen për në Vlorë. Aty i priste një anije desantësh e Luftës II Botërore, e quajtur “Irgis”.

“Ishim 112 oficerë dhe ushtarë, me në krye komandantin e Regjimentit të Raketave, kolonel Bejto Isufin dhe komisar, nënkolonel Pasho Zhupën. Më 5 nëntor, në mëngjes, mbërritëm në qytetin e bukur të Sevastopolit, buzë detit Azov. Ky qytet kishte një panoramë mbresëlënëse. Ishte i gjelbëruar, nga ana lindore kishte një terren të pyllëzuar. Por, në mes të një masivi shkëmbor, dukeshin dyer e dritare në një vijë dhe kurioziteti na shtyu të pyesnim një ushtarak sovjetik. Në fakt, në Sevastopol, na u ngjit si rrodhe një kolonel sovjetik. Siç na tha Bejto Isufi, ky kolonel ishte i KGB-së, që ishte ngarkuar me sigurimin e regjimentit tonë, deri sa të rihipnim për t’u kthyer në atdhe. Ai na shpjegoi se ato dyer e dritare ishin të një uzine të madhe për prodhimin e pajisjeve për anijet luftarake mbiujëse dhe të nëndetëseve. ‘Shokëve shqiptarë do t’u këshilloja të vizitonin qytetin, meqë do të niseni me tren për në Moskë. Shikoni edhe kinopanoramën në perëndim të qytetit, si dhe ju rekomandoj të vizitoni kodrat ‘Malehov’, që janë krenaria e Sevaspolit’, na këshilloi ushtaraku sovjetik. E falënderuam kolonelin dhe i hymë kryq e tërthor qytetit. Pamë dhe kodrat ‘Malehov’, ku ishte vendosur një tank i lehtë, që simbolizonte qëndresën historike të popullit dhe ushtrisë kundër forcave hitleriane. U mahnitëm kur hyjmë në kinopanoramë, ku po shfaqej filmi ‘Grushti i tretë’. Aty e ndjeje veten si pjesëmarrës në veprimet luftarake. Madje, të dukej sikur do të të shtypte tanku, që vinte përballë. Në një pamje, kur një snajper gjerman qëlloi kundër një sovjetiku, mu krijua ideja se qëlloi kundër meje dhe shokëve, që kisha në krahë. U mënjanuam për t’i shpëtuar plumbit dhe kjo, në fakt, na krijoi një gjendje ankthi, edhe pse na porositën, kur u futëm që të mos tronditeshim, pasi ai qe veç një film. Vetë qyteti i Sevastopolit na krijoi idenë e Gjirokastrës apo të Pogradecit. Por, ajo që na mrekulloi, ishte kinopanorama”.

Natën nisen me tren, me të cilin udhëtuan drejt Moskës. Ky udhëtim zgjati dy ditë e dy net dhe, më 7 nëntor 1960, përgjatë natës, hynë në Moskë, në një dëborë të dendur me flokët sa dora e një fëmijë të porsalindur, për çka u krijua përshtypja se po udhëtonin në një hapësirë pa përmasa.

“Sepse, sa dolëm nga Sevastopoli, deri sa mbërritëm në poligon, nuk na zuri syri asnjë kodër, të paktën 200-300 metra të lartë, por vetëm fushë dhe sërish fushë pa mbarim. Të them të drejtën, ky peizazh më zymtoi, se ne ishim mësuar me relievin e vendit tonë, me kontraste, që të mrekullojnë. Mbas 24 orëve pushim, në Moskë u nisëm me një tren tjetër në drejtim të lindjes për të mbërritur në deltën madhështore të lumit Vollga, në qytetin e Astraharit. Për të shkuar atje kaluam një urë hekurudhore në një udhëtim që zgjati 4 minuta dhe ndaluam 20 kilometra në lindje, në një lokalitet, që quhej Ashulluk, ku na prisnin 18 mikrobuzë aviacioni. Në to hipi i gjithë regjimenti, për të shkuar në poligon. Kolona lëvizte me shpejtësi maksimale. Na çudiste fakti që udhëtimi bëhej në një tokë ngjyrë gri, a si bezhë, por rrugë nuk shikonim”.

Më 10 nëntor 1960 shqiptarët mbërritën në poligon, ku i priti komanda me në krye kolonelin Tukariev. Ai ishte një oficer i luftës. Kishte një kokë të rruar, i martuar me një grua që jetonte në Moskë, ndërsa ai vetë shërbente mijëra kilometra larg.

“Takimi i parë, me kolonelin Tukariev, u bë në një sallë të madhe ku merrnin pjesë të gjithë kuadrot, me në krye kolonelin Bejto Isufi. Komandanti i poligonit, në vend që të na fliste për rregullat dhe orarin e veprimeve, e filloi paraqitjen, duke na folur me ashpërsi, arrogancë e kërcënime. Kolonel Bejto Isufi e ndërpret kolonel Tukarievin me shumë revoltë, duke i thënë: ‘Të gjitha këto që thatë nuk na hyjnë në punë, prandaj na trego orarin e veprimeve! Për të tjerat përgjigjemi ne! Shoku kolonel, nëse nuk e dini po ua them unë: Ushtria e Republikës Popullore të Shqipërisë, është një ushtri e organizuar dhe e disiplinuar, sipas rregulloreve tona. Kërcënimet që bëre, mbaji për vete. Ne s’duam t’ia dimë fare për to. Kemi arrdhur këtu sipas marrëveshjes së nënshkruar në kuadrin e Traktatit të Varshavës dhe do ta kryejmë detyrën tonë, doni apo s’doni ju, sepse kemi një detyrim ndaj atdheut tonë dhe popullit shqiptar’! U ndjemë tepër krenarë për qëndrimin burrëror të Bejto Isufint që na entuziazmoi e na detyroi të ishim jo vetëm të disiplinuar, por të bënim çdo përpjekje për të realizuar qitjet me raketa dhe të asgjësonim objektivin, që në rastin konkret ishte një avion pa pilot. Këtë incident ua bëmë të qartë ushtarëve tanë, por edhe oficerëve rusë, të cilët u indinjuan nga qëndrimi i kolonelit Tukariev. Pas qëndrimit të eprorit të tyre, ata na siguruan se do të na ndihmonin duke na thënë: ‘Shokë e vëllezër shqiptarë, përpiquni të përvetësoni gjithçka. Ne nuk do të kursehemi për t’ju ndihmuar. Edhe sikur të krijohen defekte të çdo lloj, ditën që ju do të bëni qitje, aparatura do të jetë në gatishmëri. Për këtë ju japim fjalën e nderit të oficerit’”!

Regjimenti shqiptar ishte i përbërë nga dy grupe raketash. Kurse komanda e poligonit, me urdhër të Ministrisë së Mbrojtjes së BRSS, lejoi të shpenzonin vetëm dy raketa.

“Ne kishim emocione të fuqishme, që nga kolonel Bejto Isufi e deri tek ne oficerët më të rinj. Për më tepër, në atë kohë marrëdhëniet mes dy partive ishin tepër të ftohta”.

Qitja me raketa kundërajrore V-750 ishte e para dhe e vetmja në llojin e saj për ushtarakët shqiptarë. Një çast të tillë, Namik Shehaj kujton: “Një gjysmë ore përpara qitjes, na mblodhi komandant Bejto Isufi dhe komisar Pasho Zhupa. Në esencë ata na thanë: ‘Shokë, për regjimentin tonë është një çast me rëndësi të madhe, por jo vetëm për ne, por edhe për ushtrinë shqiptare, sepse është hera e parë që një formacion kaq i madh del jashtë atdheut, për të treguar se ç’jemi në gjendje të bëjmë ne shqiptarët, edhe pse jemi në kushte të disfavorshme. Do t’u tregojmë tukarievëve forcën, guximin dhe dashurinë që kemi ne për popullin dhe atdheun, besnikërinë e pafund për pushtetin popullor, që e fituam me gjak e sakrifica, të udhëhequr nga PPSH e shoku Enver Hoxha në krye. Me disiplinë të lartë dhe këmbënguljen tuaj, jam i bindur se edhe këtë betejë do ta fitojmë me rezultate të shkëlqyera. Ju uroj suksese”!

I tërë sheshi i poligonit buçiti nga urra-të e mbi 100 ushtarakëve shqiptarë. Kjo la përshtypje edhe tek ushtarakët sovjetikë, që gjithashtu duartrokitën për entuziazmin e tyre. Mbas këtij takimi, të gjithë kuadrot dhe ushtarët u nisën për në postet e tyre luftarake. Fiks në orën 11:00 u dha sinjali për fillimin e procesit të qitjes së parë luftarake me një raketë. Tensioni u ishte rritur të gjithëve, pa përjashtim dhe prisnin me ankth kur do të bëhej lëshimi i raketës.

“Pas kryerjes së kontrollit të funksionimit për baterinë radioteknike dhe baterinë e zjarrit (të shtratit të lëshimit), dëgjuam në artopalant komandën për të kryer kërkim rrethor, me qëllim të kapnim avionin pa pilot, i cili ishte ngritur e po afrohej në drejtimin ku ishim gati për të bërë lëshimin e raketës, nëse avioni do të shfaqej në ekranin e kabinës indikatore, tip televizori. S’kaluan as 2 minuta, kur u dëgjua zëri i oficerit Zihni Koshi, që raportoi fort: ‘Shenja u kap! Distanca 25 kilometra. Lartësia 15 kilometra’. Komandant Bejto Isufi, duke mos i komanduar dot emocionet, thirri në mikrofon: ‘Të lumtë’! Nuk kaluan veç pak sekonda dhe nga artopalanti u dëgjua komanda: ‘Shenja po afrohet, gati për lëshimin e raketës’! Pastaj komandanti i grupit, Faik Myftari jep komandën: zjarr. Pas 2-3 sekondash oficeri i drejtimit, Zihni Koshi njofton: ‘Po bëjmë lëshimin e raketës’! Më pas raketa u lëshua, duke dalë nga strobat pritës. Iu afrua objektivit. Në fund Zihni Koshi tha ato fjalë ‘magjike’, për të cilën kishim shkuar aq kilometra larg: ‘Avioni u asgjësua’! Në të tërë artopalantët e kabinave u dëgjua një ‘urra’ e fuqishme. Më pas dëgjuam zërin e komandantit të grupit, të paharruarit Faik Myftari, që tha: ‘Copat e avionit po bien në tokë’! Raketa, në çastin e plasjes, kishte një distancë nga avioni, 5 metra vertikalisht dhe 3 metra horizontalisht, prandaj dhe avioni pa pilot ishte bërë copë-copë. Dolëm të gjithë, ushtarë e oficerë, nga postet luftarake me brohoritje, lot e përqafime. Rrethuam drejtuesit tanë, Bejto Isufin e Pasho Zhupën, i ngritëm dhe hodhëm përpjetë, pa parë etikën e disiplinës”.

Të dyja qitjet shkuan shkëlqyeshëm. Sapo kishin asgjësuar avionin e parë dhe ishi gjithë eufori. Pas një farë kohe këtë entusiazëm e ndërpreu sirena e kushtrimit, e cila ftonte në frontet luftarake, grupin tjetër të raketave për të bërë qitje. Sa hap e mbyll sytë, çdo njëri ishte në krye të detyrës. Grupi i dytë drejtohej nga Sybi Spahiu dhe shefi i shtabit të grupit, i paharuari Mëhill Pertena. Edhe rasti i dytë i qitjes me raketa ishte tepër preciz.

“Nuk mund të gjendej asnjë ushtarak shqiptar në atë poligon të ftohtë, që të ishte në ato momente pa lot gëzimi në sytë e tij. Për një çast disiplina u thye nga euforia e fitores. Këtë entuziazëm e frenoi urdhri i kolonel Bejto Isufit, i cili komandoi për rreshtimin e regjimentin dhe tha: ‘Shokë ushtarë dhe oficerë! Pas mbarimit me sukses të qitjeve me raketa, dëshiron t’u thotë dy fjalë komandanti i këtij grupi raketash, majori Ivanov’. Ne të gjithë e pritëm me duartrokitje majorin sovjetik, edhe pse nuk e dinim se ç’do të na thoshte ai. Fjalët e majorit Ivanon na i përktheu Bejto Isufi. Në esencë u tha: ‘Shokë ushtarë e oficerë të Ushtrisë së Lavdishme Shqiptare, vazhduese e denjë e Ushtrisë Partizane, që çliroi atdheun e vet, ashtu si edhe ne, vetëm me forcat e veta! Për këtë duhet të jeni krenarë. Ju realizuat një detyrë të vështirë, të cilën ua bënë disa fish më të vështirë për shkak të pritjes jo miqësore. Megjithatë, ju patët kurajën e u ngritët mbi këto tendenca dashakeqe dhe fituat. Dhe realizuat dy fitore: e para ishte rezultati i shkëlqyer në qitje; e dyta, ju fituat mbi egoizmin dhe arrogancën e Shtetit të Madh. Ju lumtë’! Të gjithë shpërthyem në ‘ura’ të fuqishme. Këtë entuziazëm e ndërpreu Bejto Isufi, i cili na tha: ‘Shokë! Ne e mbaruam detyrën. Nesër mikrobusët e aviaconit do të na çojnë atje ku na morën, prandaj përgatitni pajimet, bëni inventarin e armatimit e municionit dhe sonte në darkë, sipas traditës sonë, do të mblidhemi e do ta festojmë këtë fitore bashkë me kuadrot e shokut Ivanov’! Ushtarët brohoritën si asnjëherë: ‘Rroftë komandant Bejto’! Në ditën e pestë të udhëtimit me tren, nga Kazakistani mbërritëm në Sevastopol. Para se të hipnin në anije, koloneli i KGB-së (të cilit nuk i mësuam as emrin) i thotë Bejto Isufit se majori Ivanov nuk diti ta ruante veten e tij nga emocionet dhe sinqeriteti dhe se për këtë u internua në një minierë në Siberi. ‘E pagoi shtrenjtë qëndrimin që mbajti në mbështetje të PPSH-së dhe Enver Hoxhës, edhe pse u këshillua nga ju që të mos shpërthente publikisht. Shoku kolonel, së fundi dua t’ju falënderoj që ma lehtësuat detyrën. Për ju unë përgjigjesha me kokë, nëse ndodhte ndonjë gjë. Ishte fati im i mirë, sepse, në të kundërt, do të përfundoja si Ivanovi. Shoku kolonel, do të të jap përshtypjet e fundit për Ushtrinë Shqiptare, me të cilën u ballafaqova çdo moment që kur mbërritët këtu. Dua të të them se kam njohur të gjitha ushtritë e kampit socialist, por ushtri kaq të disiplinuar e të përkushtuar për të realizuar detyrën, nuk kam hasur. Ju faleminderit! Më keni shpëtuar nderin dhe jetën. Nuk do t’jua harroj’! Ai qëndroi në port derisa anija “Irgis” u nis. Më 13 dhjetor 1960, hymë në portin e Vlorës”. /Telegrafi/

 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.