Siri: Armëpushimi hyri në ditën e tretë
Armëpushimi ndërmjet trupave qeveritare dhe kryengritësve në Siri, sot ka hyrë në ditën e tretë.Por, në dy ditët e para, megjithatë ka pasur shkelje të shumta të armëpushimit nga të dy palët.
Aktivistët thonë se së paku 70 vetë janë vrarë dje, derisa trupat qeveritare dhe kryengritësit luftuan në disa pjesë të këtij vendi, përfshirë qytetet Alepo, Deir al-Zar dhe disa lagje të kryeqytetit Damask.
Sips raporteve, aeroplanët luftarakë sirianë e kanë shkatërruar një ndërtesë në lagjen Arbin të Damaskut, duke i vrarë tetë vetë.
Të premten ishte raportuar për vrasjen e 150 vetëve nga dhuna, transmeton REL.
Armëpushimi katërditor gjatë festës së Bajramit ishte ndërmjetësuar nga i dërguari ndërkombëtar për Sirinë, Lakhdar Brahimi, si një hap kah përfundimi i konfliktit 19 mujor, nga i cili janë vrarë mijëra njerëz.
Një armëpushim i mëparshëm në muajin prill pat dështuar. /Telegrafi/