Skafi me një ton drogë bllokohet në Greqi
Ndjekje e gjatë policore një skafi të mbushur plot e përplot me drogë. Ndjekja e policisë shqiptare është shoqëruar me mjetet e Guardia di Finanza, si dhe avionë të Frontex, në përpjekje për ta kapur. Por në ujërat shqiptare dhe ato neutrale kjo ka qenë e pamundur. Megjithatë, skafi 12 metra i gjatë dhe një ton drogë mbi të, është kapur në Greqi. Sa për skafistët, ata as dihen kush janë dhe as dihet ku shkuan. Kurse pronari i skafit, një shtetas grek, është arrestuar.Lajmi konfirmohet edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, raporton noa.al. Si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Policisë Shqiptare me autoritetet policore Italiane dhe Greke është bërë e mundur goditja e këtij rasti trafikimi, si dhe sekuestrimi në Greqi i sasisë së konsiderueshme të lëndës narkotike dhe i skafit me gjatësi rreth 12 metër.
Gjithçka nisi mbrëmë, rreth orës 22.20’, kur nga Qendra Operacioniale Ndërinstitucionale Detare është konstatuar një mjet lundrues teksa tentonte të afrohej në brigjet shqiptare duke u futur pastaj në Gjirin e Bunecit.
Janë informuar strukturat vendore të Policisë Kufitare, dhe ato kanë organizuar punën për kapjen e mjetit, një mjet lundrues me një gjatësi rreth 12 metra, me 2 motorë me nga 350 kuaj fuqi secili.
Mjetet lundruese të policisë Kufitare dhe Migracionit janë vënë në ndjekje të tij, ndërkohë nga strukturat e Policisë së Shtetit janë vënë menjëherë në dijeni autoritetet policore Italiane dhe Greke, mbi këtë mjet lundrues.
Si rezultat i ndjekjes nga mjetet lundruese të Policisë Kufitare, mjeti lundrues ka ndryshuar drejtimin e lëvizjes së tij.
Bazuar në informacionet e dhëna nga Policia Shqiptare në ndjekje të këtij mjeti lundrues janë vënë dhe mjetet e Guardia di Finanza, si dhe avionë të Frontex.
Në sajë të ndjekjes së vazhdueshme, mjeti lundrues është drejtuar drejt brigjeve greke. Autoritet policore Greke në sajë të informacionit të marrë nga Policia Shqiptare kishin marrë masa për kapjen e tij.
Në sajë të këtij bashkëpunimi u bë e mundur kapja e këtij mjeti lundrues në afërsi të ishullit të Qefaloniasë në Greqi, si dhe arrestimi i pronarit grek të skafit, si dhe sekuestrimi i një sasie prej rreth 1 ton marihuanë.
Sakaq, autoritetet policore greke kanë shprehur falënderimet e tyre për Policinë Shqiptare, për bashkëpunimin dhe shkëmbimin e menjëhershëm të informacionit, duke bërë të mundur kështu goditjen e këtij rasti trafiku, raporton NOA. /Telegrafi/