“SKV” do t’i përgjigjet ftesës për protestë
Thirrjes së Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës për protestën e 3 nëntorit, në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë, do t’i përgjigjet edhe Lëvizja studentore “Studim, Kritikë, Veprim” (SKV), e cila me anë të një kumtese për opinion fton të gjithë studentët që t’i bashkëngjiten kësaj proteste kundër negociatave politike me Serbinë.“Ne pajtohemi me kërkesat e protestës duke besuar që ato janë të drejta dhe të domosdoshme para çfarëdo negocimi me shtetin serb. Vetëm atëherë kur Serbia të ketë ndryshuar qasjen ndaj Kosovës, të ketë ndërruar politikën e vetë ndërsyese ndaj qenies tonë dhe pasi të ketë plotësuar një varg të kushteve, vetëm në ato rrethana mund të mendojmë se Serbia është e aftë për të diskutuar me të. Në këtë situatë negociatat po i shërbejnë vetëm Serbisë për të fituar në rrafshin politik ndërkombëtar e, në anën tjetër, po e dëmtojnë qenien e vendit tonë”, thuhet në kumtesën e SKV .
Kjo lëvizje studentore njofton se do të angazhohet në të gjitha format e organizimit demokratik për të ndalur këto negociata, dhe gjithherë do të mbështesë demonstrimet dhe kundërshtitë ndaj tendencës së përhershme të rehabilitimit të subjektit kriminal, që në këtë rast është Serbia. /Telegrafi/