Sot Asambleja Kombëtare e PS
Partia Socialiste (PS) përfundon përgatitjet për çeljen zyrtare të fushatës zgjedhore për zgjedhjet elektorale të vitit të ardhshëm. Në mbledhjen e sotme të Asamblesë Kombëtare të kësaj partie pritet të diskutohet dhe më pas të miratohet platforma elektorale për zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
Listat zgjedhore, takimet me bazën dhe elektoratin në rrethe, rritja dhe forcimi i koalicionit opozitar, janë çështjet ku do të fokusohet diskutimi i anëtarëve dhe delegatëve socialistë në mbledhje. Një javë më parë anëtarët e Kryesisë së PS-së saj miratuan listën e kandidatëve që do zëvendësonin krerët e PS-së në qarqet ku ata mungonin. Identifikimi i zgjedhësve, ruajtja e votës dhe shtimi i radhëve të koalicionit opozitar, përbëjnë boshtin kryesor të strategjisë së PS-së për fitoren e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
Burime brenda selisë rozë thanë sqarojnë për “Shekulli”-n detaje dhe pikat kryesore të platformës së re të së majtës. “Kemi një punë të madhe për të bërë në terren për të evidentuar zgjedhësit shqiptarë. Rezultatet e para kanë dalë dhe shifrat janë të frikshme e për këtë PS-ja duhet të bëjë një punë shumë të madhe. Kemi shumë punë për të zbutur informalitetin e madh në infrastrukturën zgjedhore”, deklaruan dje burimet.
Gjithashtu, pjesë e strategjisë elektorale të PS-së renditen edhe marrëdhëniet me aleatët dhe përpjekjet për aleanca të reja. Synimi është rreshtimi në koalicion me PS-në i sa më shumë partive politike, qofshin këto edhe me program të djathtë. /Telegrafi/