Sparkes: “Të fortit” po e anashkalojnë ligjin
Në veri gjithçka është e politizuar dhe se EULEX-i si mision ka t’i ndihmojë institucionet e Kosovës dhe jo t’i kryejë punët e tyre. Kështu është shprehur zëvendësshefi i EULEX-it, Andy Sparkes gjatë një ligjërate në Kolegjin ISPE, me temën ''Ndikimi i EULEX-it në përafrimin e Kosovës me BE-në'' .Sparkes ka pohuar se Kosova ka arritur progres të madh në disa fusha siç janë bujqësia, por, sipas tij, në gjyqësor ka ende shumë punë për t’u bërë.
Ai e nisi fjalimin në shqip, por tha se duhet të përkthehet, ngase shqipja e tij, siç tha ai “mund të paraqes probleme kur janë në pyetje çështje të mëdha të Kosovës”.
Ai tha se më e rëndësishmja është që të ketë një sistem gjyqësor i cili do të implementohej pa ndonjë frikë apo pengesë të çfarëdoshme dhe se sipas tij, ‘të fortit’ në Kosovë po e anashkalojnë ligjin.
“Mund të jetë ndoshta edhe pjesë e kulturës, por nëse je i fortë, apo nëse ke pasuri, apo ke lidhje të forta mund edhe të anashkalosh edhe ligjin. Dhe nëse kjo është problem, dhe në fakt është problem në sistemin gjyqësor të Kosovës. Mandati EULEX-it me pjesën ekzekutive që e zotëron, dëshiron që t’u jap vetëbesim të gjitha atyre organeve që bëjnë zbatimin e ligjit, se jo gjithmonë duhet të shkojë kjo punë”, ka thënë ai, transmeton QIK-u.
Sparkes ka thënë se në veri të Kosovës gjithçka është e politizuar dhe se ata që vuajnë janë qytetarët e thjeshtë që nuk gëzojnë të drejtat e rendit.
Ai ka ritheksuar se roli i EULEX-it është normalizimi i situatës në mes Prishtinës dhe Beogradit, si dhe njerëzve në veri të Kosovës.
“Kemi problem me Serbinë, ky problem është më i theksuar në pjesën veriore të Kosovë. Qytetarëve që jetojnë në atë pjesë nuk u ofrohet mirëqenie, sepse nuk e kanë një sistem të rendit çfarë do të donim ta kishim. Pra, ka sisteme paralele klandestine të Serbisë, që janë në mes të dy situatave, pastaj policë që janë në mes të dy sisteme, atij të Beogradit dhe Prishtinës, si dhe qytetarë që kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës dhe se nuk i din të mirat që sjellë, por që ata mendojë se EULEX-i asiston Prishtinën, e në fakt EULEX-i është për të gjithë këtu duke u munduar t’u ndihmojë në zbatimin e ligjit dhe rendit”, ka thënë ai.
Zëvendësshefi i EULEX-it ka thënë se Kosova në një afat shumë të shkurtë duhet ta dëshmojë vendosmërinë e vet për luftimin e krimit të organizuar. /Telegrafi/