Stuhitë mbërthejnë Shqipërinë

13:29 / 1.11.2012
Reshjet e shiut të shoqëruara me erëra të forta kanë shkaktuar probleme në disa akse rrugore dhe porte detare në vend.

Stuhia me shi dhe erë ka përfshirë qytetin e Elbasanit duke shkaktuar përmbytje në segmente të Unazës Rrugore dhe shkarje dherash. Era ka rrëzuar disa pemë në këtë Unazë, kurse në aksin Përrenjas-Librazhd, problem janë bërë dherat që kanë mbuluar segmente të caktuara të rrugës nacionale.

Situata kritike sinjalizohet dhe në segmentin Librazhd-Murrash, ku janë rrëzuar massive të shumta me gurë.

Shefi i Shtabit të Emergjencave Civile, Mustafa Arapi, tha se "që në orët e para të mëngjesit punëtorët e mirëmbajtjes së rrugëve kanë pastruar dherat dhe gurët e rënë nga kodrinat në akset Elbasan- Peqin, në vendin e quajtur Papër si dhe Elbasan- Librazhd, tek kthesat e Murrashit, dhe aktualisht të gjitha akset nacionale janë të kalueshme", raporton “BalkanWeb”.

Arapi i bën thirrje drejtuesve të mjeteve që të tregohen të vëmendshëm në rrugë pasi si pasojë e shirave mund të ketë rrezik për rrëshqitje të tjera dherash dhe rrugësh.

Moti i keq që ka përfshirë vendin ka shkaktuar përmbytje në komunën Kolsh të Lezhës. Ferdinant Ndoi, kryetar i Komunës së Kolsh bëri të ditur se në disa shtëpi ka prezencë uji në oborre, ndërsa dhjetëra familje në fshatin Barbuloi janë bllokuar nga uji.

Stuhia detare, që përfshiu rajonin detar të Durrësit gjatë natës së kaluar, nuk ka shkaktuar dëme në basenin portual, ndërsa reshjet e rrëmbyera që ranë për afro 40 minuta gjatë paradites së sotme, kanë bllokuar disa nga rrugët dhe kryqëzimet kryesore të qytetit.

Sipas burimeve të kapitenerisë, tragetet e linjës Bari-Durrës kanë vonesa disa orëshe, ndërsa njëri prej tyre do të mbërrijë në qytetin bregdetar rreth orës 15.00.

Edhe tragetet që lundrojnë drejt Barit (Itali) janë nisur nga Durrësi me 6-7 orë vonesë, për shkak të stuhisë detare dhe të detit të trazuar, me forcë deri në 6 ballë në det të hapur.

Burime nga institucioni i prefektit të qarkut, bënë të ditur se "ujërat e grumbulluara kanë shkaktuar probleme në disa banesa private në lagjen e plazhit dhe atë të Shkozetit, ndërsa po punohet për normalizimin e situatës".

Rrugët “Aleksandër Goga”, “Skënderbeu”, "Taulantia" dhe “Dëshmorët”, si dhe disa nga kryqëzimet në hyrje dhe në periferi të tij, kanë qëndruar nën pushtetin e ujërave për më shumë se një orë, deri kur ndërhyrja e punonjësve të ndërmarrjes së ujësjellës kanalizimeve krijoi kushte për lirimin e pusetave dhe kullimin.

Përveç problemeve në port, ku tragetet janë nisur me vonesë, në Vlorë stuhitë me erë dhe shiu gjatë natës kanë dëmtuar zbukurimet për 28 Nëntor, ditë kur shënohet 100-vjetori i pavarësisë së shtetit shqiptar.

Kjo situatë meteorologjike pritet të vazhdojë me të njëjtat karakteristika në pjesën më të madhe të ditës së sotme, ndërkohë që vlerat e temperaturave do të shënojnë rënie krahasuar me ato të një dite më parë.

Kjo tablo sinoptike është rrjedhojë e përfshirjes së rajonit në një zonë me presion atmosferik të ulët dhe e pranisë së masave ajrore të paqëndrueshme dhe të ftohta, me origjinë kontinentale.

Burime të Kapitenerisë së Portit detar në Vlorë bëjnë të ditur se era do të fryjë me parametra mesatarë, në drejtimin nga kuadrati Jug-Jugperëndim, me shpejtësi nga 4-6 deri në 6-8 m/sek, në afërsi të bregut të detit, ndërsa temperaturat e ajrit do të arrijnë vlerat maksimale në 19-21 gradë celcius dhe ato minimale nga 12-14 gradë celcius. Valëzimi në hapësirën detare brenda gjirit të Vlorës parashikohet të arrijë 2-3 ballë dhe në det të hapur 4-5 ballë.

Reshjet e shiut kanë shkaktuar rrëshqitje të gurëve dhe dherave në aksin, Burrel-Milot dhe në Klos-Bulqizë. Ndërsa, Rrëshqitje dherash ka patur dhe në aksin Gjirokastër-Tepelenë. Por, më serioze, sipas policisë, situata është paraqitur në vendin e quajtur Ura e Leklit. Në këtë segment rrugor qarkullimi kryhet vetëm me një kalim. /Telegrafi/
 

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.
 
 
Magazina
14:08 / 18.05.2013
Swedish House Mafia

Swedish House Mafia të lansojnë këngën lamtumirëse

Grupi i famshëm botëror i muzikës techno, Swedish House Mafia, kanë zbuluar se do të lansojnë një këngë lamtumirëse.
Teknologji
14:12 / 18.05.2013
Dita Digjitale e Kosovës

Dita Digjitale e Kosovës

Avancimi i biznesit me trendet më të fundit të reklamimit në internet, rrjete sociale dhe pajisje mobile ishte qëllimi i k...
Ekonomi
13:36 / 18.05.2013
Foto: Ilustrim

Cilësia e ushqimit, e varur nga zbatimi i ligjeve

Hulumtimet e bëra nga shumë organizata, përfshirë edhe Qendrën për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, që kanë analizuar...
 

Ky portal mirëmbahet nga kompania "Telegrafi". Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen,
të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të "Telegrafit".
Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t'i pranoni Kushtet e Përdorimit.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2006-2011 Portali Telegrafi

TELEGRAFI sh.p.k.
Rr Bajram Kelmendi Nr.35, Prishtinë, Kosovë
info@telegrafi.com

Zhvilluar dhe dizajnuar nga:
FRAKTON n.p.sh.