Sulme nga frika e shuarjes së strukturave paralele

19:43 / 5.03.2013
Shpërthimi i cili ka ndodhur të hënën në mbrëmje në veriun e Mitrovicës është në vazhdën e incidenteve që kërcënojnë sigurinë e përgjithshme dhe të të cilat në dy muajt e fundit janë shpeshtuar në këtë pjesë të vendit. Njohësit e rrethanave të sigurisë, vlerësojnë se shpërthimet në veri janë një lloj presioni të cilin po e bëjnë strukturat e caktuara në veri.

Zyrtarët e Policisë së Kosovës thonë se në incidentin që ndodhi të martën në orën 01:15, në rrugën “Tanaska Rajic” nuk ka pasur dëme në njerëz, por vetëm materiale.

Ndërkaq, ende nuk dihet saktë se kush ka qenë cak i sulmit, për shkak se mjeti shpërthyes, që sipas tyre ishte eksploziv plastik, ka shpërthyer në rrugë, ndërmjet disa objekteve.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se që nga janari i këtij viti janë shënuar rreth 20 sulme me mjete shpërthyese, por organet e rendit ende nuk kanë kapur ndonjë të dyshuar për këto incidente.

“Nuk kemi ende te dyshuar konkret, ndërsa te gjitha rastet - që raportohen te jene diku rreth 20 të kësaj natyre – vazhdojnë të jenë në procedurë hetimore. Në kuadër të gjithë këtyre rasteve, cak i sulmeve kanë qenë të gjitha shtresat e komunitetit banues të asaj zone. Kur e them këtë, të gjitha shtresat, përfshirë etnitë: shqiptarë, serb, boshnjak, por njëkohësisht janë edhe institucionet siç janë institucione ose zyra të caktuara apo zyrtarë të institucioneve të Kosovës, të cilët punojnë në institucionet e caktuara në atë pjesë (veri)”, tha Zahiti.

Në një numër të madh të rasteve të sulmeve me mjete shpërthyese, cak i këtyre sulmeve kanë qenë prona dhe pasuria e punëtorëve të Zyrës Administrative të Qeverisë së Kosovës në veri të Mitrovicës.

Kjo zyre, i ka dënuar ashpër këto sulme dhe i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që t’i gjej dhe dënoj autorët e sulmeve me mjete shpërthyese në veri të vendit. Në një komunikatë të kësaj zyre thuhet se “ në tre muajt e fundit kanë ndodhur rreth 20 incidente, ndërkaq, fajtorët nuk janë gjetur dhe dënuar”.

Njohësit e rrethanave të sigurisë, vlerësojnë se shpërthimet në veri janë një lloj presioni të cilin po e bëjnë strukturat e caktuara në veri.

Florian Qehaja, drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, vlerëson se autor të sulmeve me mjete shpërthyese janë strukturat, të cilat i frikohen marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për shpërbërjen e strukturave jolegale serbe në veri të vendit.

“Ata (strukturat e caktuara) kanë indikacione se fati i tyre, në njëfarë mënyre, tashmë është duke u determinuar, për shkak të presionit final të bashkësisë ndërkombëtare dhe pëlqimit, së paku gojor, nga ana e Qeverisë së Serbisë që këto struktura duhet, në njëfarë mënyre, të rikonfigurohen apo përfshihen në kudër të institucioneve të Kosovës. Gjithsesi që kjo nuk u konvenon këtyre strukturave, qoftë ato që janë të policisë apo të inteligjencës”.

Por, Oliver Ivanovic, ish-zyrtar i qeverisë së mëparshme të Serbisë vlerëson se përderisa organet e rendit nuk kanë arrestuar të dyshuarit për shpërthimet në veri, gjithçka mbetet në suazat e spekulimeve, se kush mund të jenë autorët dhe motivet e tyre.

Në anën tjetër, Qehaja, rithekson se strukturat e caktuara në veri po e shfrytëzojnë vakuumin, i cili ekziston në veri.

Por, për këtë situatë ai i quan përgjegjës KFOR-in, EULEX-in dhe Policinë e Kosovës, që sipas tij nuk po e kryejnë punën e tyre, si dhe aktivitetet operative, për shkak se siç thotë ai, po i presin vendimet politike nga Brukseli.

“Këtu, unë jam kritik, për arsye se këto institucione, që kanë mandat të operojnë në atë pjesë (veri), do të duhej që të mos varen nga vendimet politike që potencialisht priten, për arsye se ato tash duhet të reagojnë dhe në njëfarë mënyre të bëjnë arrestimin e personave që qëndrojnë prapa kësaj".

"Unë besoj që sidomos KFOR-i - që ka një prezencë tashmë 13 vjeçare atje - ka informacione më të sakta se sa institucionet tjera, lidhur me aktorët potencial që fshihen prapa këtyre sulmeve”, tha Qehaja.

Ndryshe, Ivanovic e ka quajtur shqetësuese situatën në veri të Kosovës për shkak të shpërthimeve, duke theksuar se është e pamundur që njerëzit të jenë të qetë dhe ti rrisin fëmijët në një ambient të tillë.

Ndërkaq, Qehaja, ka theksuar situata e sigurisë në veri mund të përkeqësohet edhe më shumë. Ky përkeqësim sipas tij, do të shkoj paralele me bisedimet në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka thënë se është e pritshme rezistenca e strukturave të caktuara në veri edhe për faktin se atje ekziston një fragmentim i subjekteve politike serbe, të cilat e vazhdojnë rivalitetin e tyre dhe kjo do të ndikoj edhe në situatën e sigurisë. /Telegrafi/
 

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.
 
 
Magazina
23:39 / 25.05.2013
Joana

Joana: Ish- i dashuri kërkoi që të ktheheshim bashkë

Njëra nga banoret mjaft të përfolura në edicionin e gjashtë të “Big Brother”, Joana, ka thënë se beson që lidhja e...
Teknologji
17:54 / 25.05.2013
BarCamp i 13-të, grumbullon komunitetet më aktive në Kosovë

BarCamp i 13-të, grumbullon komunitetet më aktive në Kosovë

Edicioni i radhës i BarCamp Prishtina, sponsorizuar nga IPKO Foundaiton dhe që është i trembëdhjeti me radhë, me 29 maj 2...
Ekonomi
15:45 / 25.05.2013

AKR: Akuzat ndaj Ismajlit, me karakter elektoral

Aleanca Kosova e Re, ka reaguar ndaj shkrimeve nëpër media, në të cilat ministri ri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, a...
 

Ky portal mirëmbahet nga kompania "Telegrafi". Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen,
të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të "Telegrafit".
Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t'i pranoni Kushtet e Përdorimit.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2006-2011 Portali Telegrafi

TELEGRAFI sh.p.k.
Rr Bajram Kelmendi Nr.35, Prishtinë, Kosovë
info@telegrafi.com

Zhvilluar dhe dizajnuar nga:
FRAKTON n.p.sh.