Sulmi me miell shkarkoi 13 policë
Policë të komisariatit numër 1 në Tiranë janë pezulluar nga puna, për shkak se ish-të përndjekur politikë arritën të qëllonin me qese mielli makinën e kryeministrit Sali Berisha. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit bëjnë me dije se me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Hysni Burgaj, 13 policë të këtij komisariati janë pezulluar nga detyra, mes të cilëve janë edhe komandanti i grupit dhe shefi i rendit në komisariatin numër 1, raporton “Shekulli”.
Të prekurit nga ky vendim do të kalojnë në komisionin e disiplinës për t’iu nënshtruar masave për mosndërhyrje e mosneutralizim të dy personave që goditën makinën e kryeministrit. Ngjarja në fjalë ndodhi paraditen e të enjtes kur, ish-të përndjekurit Skënder Tufa dhe Agim Kollcaku, qëlluan me qese me miell në drejtim të makinës së kreut te ekzekutivit, përballë Parlamentit. /Telegrafi/