Sulmohet ambasada amerikane në Jemen
Zemërimi me filmin anti-islamik, të prodhuar në Shtetet e Bashkuara, ka vazhduar të përhapet në gjithë botën myslimane.Të enjten demonstruesit kanë sulmuar ambasadën amerikane në kryeqytetin e Jemenit, Sana.
“Zoti është më i madhi! Zoti është më i madhi!”, kanë brohoritur ata, raporton REL.
Ata kanë depërtuar përmes portës kryesore të kompleksit diplomatik, duke thyer dritaret dhe djegur automjetet, para se policia t’i dëbonte me topa uji dhe të shtëna paralajmëruese.
Po sot në Kajro, policia është përleshur me demonstruesit, në ditën e tretë të protestave para ambasadës amerikane. Të mërkurën, protesta të ngjashme janë shënuar edhe në Tunizi dhe Sudan.
Si pasojë e sulmit të turmave të zemëruara me filmin që talli Profetin Muhamed, të martën ka humbur jetën ambasadori amerikan në Bengazi dhe tre bashkëpunëtorë të tij. /Telegrafi/