Sulmohet lokali i Dimitrije Janicijevicit

13:43 / 10.01.2013

Persona të panjohur kanë shkrepur breshëri plumbash nga armë automatike mbrëmë pas mesnate në drejtim të lokalit “Fornet - Mini Pani” në veri të Mitrovicës, ndërsa përveç dëmeve materiale, nuk ka të lënduar në njerëz.

Burime të Kosovapress-it bëjnë të ditur se pronar i këtij lokali është Dimitrije Janicijevic, kryetar i Këshillit komunal të Partisë G17 në veri të Mitrovicës.

Një përfaqësues i lartë i kësaj Partie, ka folur për Kosovapress në kushte anonimiteti se ky sulm ka një porosi të qartë se kundërshtarët politik nuk zgjedhin mënyrë për t’i frikësuar përfaqësuesit e kësaj partie.

Ai ka përkujtuar se nuk është hera e parë që Janicijevic sulmohet, ndërsa ka kërkuar nga Policia e Kosovës, ajo e EULEX-it dhe KFOR-i, të ndriçojnë rastin sa më parë dhe që autorët e këtij sulmi të vihen para drejtësisë.

Ndërkaq, zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Besim Hoti, ka thënë se rreth orës 01:00 pas mesnatës, në rrugën “Sutjeska”, në veri të Mitrovicës, një punëtor i sigurimit që ruante pikërisht këtë lokal, ka njoftuar autoritetet policore për dëmtim të lokalit nga të shtëna me armë zjarri.

“Në afërsi të vendit të ngjarjes, policia ka identifikuar dhe marrë si pjesë të provave materiale; 23 gëzhoja të armës automatike të kalibrit 7.62mm, që besohet t’i përkasin armës së përdorur, ndërsa motivet mbeten ende të panjohura dhe nuk ka të dyshuar të mundshëm deri më tani”, ka thënë Hoti.

Ndryshe, Janicijevic ka qenë i njohur pas luftës si pjesëtar i ‘Rojave të urës’ dhe është shquar për veprimet e tij kundër shqiptarëve. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.