Sundimi i ligjit, thelbësor për Kosovën
Ambasadorja e SHBA-ve në Kosovë, Tracy Jacobson, ka thënë se vendosja e sundimit të fortë të ligjit në Kosovë, është thelbësore për Kosovën, por edhe për shtetet fqinje. Ambasadorja Jacobson ka thënë se të gjitha qeveritë në rajon duhet të bashkëpunojnë në kontrollimin e krimit të organizuar, uljes së shkallës së korrupsionit, parandalimin e kriminelëve që të shijojnë frutat e krimeve të tyre.
Gjithashtu ajo ka thënë se është inkurajues fakti që Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi, kanë përparuar shumë në ndjekjen e krimit të organizuar në vendet e tyre.
“Kosova për shembull së shpejti do të ketë Kodin e procedurës penale dhe kjo do të ketë ndëshkime më të rënda për zyrtarët e korruptuar, për krimet ekonomike, apo grupet e organizuara dhe kodet do të pajisen prokurorët me mjete më të forta për të zbuluar dhe ndjekjen e atyre. Reformat e ngjashme janë bërë në secilën nga shtetet. Natyrisht që kriminelët nuk respektojnë ligjin, grupet e organizuara shpesh shtrihen përtej kufijve dhe fshehin pasuritë e tyre në vendet e ndryshme”, ka theksuar Jacobson.
Ambasadorja është ndier krenare për punën që po bëhet në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke siguruar institucionet e vendit, se SHBA-të do të vazhdojnë që të jenë partner i fuqishëm në Kosovë, përderisa vazhdon të përforcojë sundimin e ligjit. /Telegrafi/