Tërnava uron qytetarët për muajin e Ramazanit
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit ka uruar qytetarët e Kosovës, duke e quajtur këtë muaj të shenjtë për besimtarët myslimanë muaj të fitores mbi të keqen. Në urim theksohet agjërimi i muajit të Ramazanit është një ibadet që bartë në vete urtësinë, devotshmërinë, sinqeritetin, dashurinë, sakrificën, unitetin, tolerancën e mirëkuptimin.
“Nesër, besimtarët myslimanë nisin agjërimin e muajit të bekuar të Ramazanit, ndaj kam nderin, kënaqësinë e privilegjin që në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës dhe në emrin tim personal t’ju drejtohem me përgëzimet më të mira, duke ju dëshiruar agjërim të lehtë e të pranuar tek Zoti ynë”, thuhet në mesazhin e urimit.
Ai më tej theksoi se besimtari përmes agjërimit më së miri me vepër e vullnet të plotë shpreh përkushtimin e tij ndaj Krijuesit, ngase ky ibadet bëhet vetëm për Të, me bindje që Krijuesi do e shpërblej në Botën tjetër.
“Ne, në këtë muaj të madh, në këtë muaj të mëshirës, në këtë muaj të solidaritetit lutemi që sa më parë të marrin fund luftërat e konfliktet, që njerëzit të jetojnë në paqe e harmoni, lutemi për popullin e Sirisë që sa më parë tu bashkohet popujve e shoqërive të lira”, thuhet në mesazh.
Myftiu Tërnava theksoi se Ramazani i sivjetshëm, për ne ka një rëndësi të veçantë, ngase jemi në vitin jubilarë të pavarësisë së shqiptarëve, andaj në këtë muaj të mëshirës apeloi te të gjithë faktorët relevant që në këtë përvjetor, të jemi mirënjohës ndaj Zotit, të njohim kontributin dhe flijimin e brezave që sakrifikuan për pavarësi e mëvetësi, të angazhohemi që idealet e të parëve tanë të jetësohen, pra të ndërtojmë një shoqëri me integritet, e bashkuar, unike, e zhvilluar, paqësore dhe e lirë. /Telegrafi/