Tadic: Nuk i eliminojmë institucionet paralele
Presidenti i Serbisë, Boris Tadic, ka thënë se detyra e tij nuk është vetëm bashkëbisedimi me përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës, "i cili do të ndodhë herët a vonë", por edhe që t’i bindë për planin e tij për Kosovën ata që e bëjnë politikën ndërkombëtare."Gjithçka për të cilën merren vesh shqiptarët në Kosovë dhe serbët në Beograd, mund të zbatohet vetëm nëse fuqitë e mëdha pajtohen për këtë”, ka thënë Tadic në një intervistë për “Al Jazeera".
"Plani është paraqitur pak a shumë në të gjitha qytetet kryesore, aty ku krijohet politika ndërkombëtare. Përgjigjja nuk është negative, por nuk është as tamam pozitive, ndërsa është mirë se nuk është negative”.
Në pyetjen nëse do të bie pajtohet për të zhdukur institucionet paralele në veri të Kosovës, nëse ky është kusht zyrtar për përparimin e Serbisë në BE, Tadic ka thënë: “Natyrisht se jo”, duke shtuar pyetjen se “çka janë institucionet paralele”?
"Arsimi, kujdesi shëndetësor? Kush mund t’i heq ato, me çfarë përgjegjësie? Që fëmijët të mos shkojnë në shkollë? Në cilën shkollë të shkojnë, te ato të krijuara rishtazi nga Prishtina? Kush do t’ua imponojë fëmijëve serbë ose prindërve të atyre fëmijëve që të shkojnë në ato shkolla, me cilën teknikë do të ndodhë kjo? Le të ma shpjegoj dikush këtë”, thotë Tadic.
Ai theksoi se viteve të fundit është definuar politika me “komponentë të mesme”, sipas së cilës “nuk mohohet deri në ekstrem ajo çka kërkojnë shqiptarët e Kosovës, e as nuk flitet se duhet të përfundojmë menjëherë me Kosovën e ‘të ecim në dritën e ardhmërisë’, sepse kjo politikë ka një gabim sistematik”.
"Ne nuk mund të jetojmë në konflikt të ngrirë, sepse ky konflikt herët a vonë do të përshkallëzohet dhe sërish disa njerëz do të humbasin jetën e tyre në disa barrikada apo kushedi se ku... Duhet ta shohim realitetin që të gjejmë zgjidhje praktike dhe qytetarët duhet ta dinë se gjërat nuk mund të zgjidhen brenda nate”. /Telegrafi/