Takimi Jahjaga-Nikolic, në favor të Serbisë?

19:38 / 27.01.2013
Mirëpresim takimin e ardhshëm të presidentëve të Kosovës dhe të Serbisë, Atifete Jahjaga dhe Tomislav Nikolic, sepse kjo do të përmirësojë situatën në rajon dhe do të jetë parakusht për përparimin e Serbisë drejt anëtarësimit në BE, gjë që nënkupton edhe marrjen e datës së negociatave për anëtarësim, thonë raportuesit e Parlamentit Evropian për Kosovën dhe Serbinë, Ulrike Lunacek dhe Jelko Kacin.

Kacin mendon se çdo takim i zyrtarëve të lartë shtetëror kontribuon në krijimin e besimit dhe marrëdhënieve normale mes Prishtinës dhe Beogradit.

"Më duhet të theksoj se takimi ka mundur të ndodhë shumë më herët, falë iniciativës së Presidentit malazez Vujanovic, por atëherë kjo nuk ka ndodhur për shkak të vendimit të presidentit Nikolic. Megjithatë, më mirë vonë se kurrë", tha Kacin për Danas.

Kacin shpreson se ky takim do të jetë një pikë kthese për qasjen e Nikolicit ndaj çështjeve rajonale që mund të kontribuojnë në procesin e pajtimit në mes të shteteve të Ballkanit Perëndimor.

"Kryeministri Dacic tregoi vendosmëri dhe guxim të madh duke hyrë në dialog me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi. Përfshirja e Nikolicit mund të ndihmojë procesin e dialogut, që është i domosdoshëm për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE”, shton Kacin.

Ulrike Lunacek deklaron se mbështetët fuqishëm takimin e presidentëve të dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë.

“Suzana Grubjesic, zëvendëskryeministrja serbe e ngarkuar me integrimin evropian, ka konfirmuar gjatë vizitës së saj të fundit në Bruksel se Nikolici do ta takojë Jahjagën, por nuk ka mundur ta tregojë datën. Sidoqoftë, ky është një lajm pozitiv”, tha Lunacek.

Peter Stano, zëdhënës i Komisionerit të BE-së për zgjerim, Stefan Fule, tha se Komisioni Evropian mirëpret dhe inkurajon të gjitha hapat që çojnë në krijimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Agron Bajrami, kryeredaktori i gazetës Koha Ditore, vlerëson se Jahjaga dhe Nikolici do të takohen shpejtë, ndoshta në Bruksel, dhe se një takim i tillë do të shërbejë vetëm si mbështetje për marrëveshjet - e arritura dhe të ardhme - mes Thaçit dhe Dacicit.

Duke komentuar raportin e forcave në skenën politike në Kosovë, Bajrami theksoi se kryeministri Thaçi është në një pozitë ndryshe kundruall Dacicit.

"Thaçi ka aktualisht përkrahje të mjaftueshme të brendshme për dialogun. Edhe sikur ky të mos ishte rasti, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, nuk do të mund t’ia siguronte këtë, pasi nuk ka asnjë peshë edhe rëndësi politike brenda Kosovës”, tha Bajrami.

"Bashkimi Evropian, si ndërmjetës në dialog, dëshiron të ofrojë mbështetje më të madhe procesin, sidomos tani që u hap pjesa më e ndjeshme e dialogut: zgjidhja për veriun dhe pranimi implicit i pavarësisë së Kosovës nga Beogradi. BE-ja sidomos dëshiron ta ndihmojë kryeministrin serb, i cili, duket qartë, ka më shumë se Thaçi probleme të brendshme për shkak të dialogut”, tha ai.

Sipas Bajramit, me hedhjen në lojë të Nikolicit, Brukseli shpreson se do t’i arrijë dy gjëra: reduktimin e presionit ndaj Dacicit, i cili pjesërisht ka ardhur edhe nga Nikolici, si dhe të ndahet përgjegjësia - për të gjitha marrëveshjet e arritura në bisedimet e Brukselit, e sidomos ato që do të arrihen - midis kryeministrit dhe presidentit të Serbisë.

"Kështu Brukseli beson se rriten mundësitë që Serbia të pranojë zgjedhjet që po përfolen, e që përfshijnë, siç kemi dëgjuar disa herë këto ditë, një lloj autonomie për serbët në veri të Kosovës, e hapjen e rrugës së anëtarësimit të Kosovës në OKB. Por, do të jetë interesante për të parë se deri në çfarë mase Jahjaga dhe Nikolici do të mund të dalin nga kornizat dhe të hapin tema tjera, si situata në luginën e Preshevës”, thotë Bajrami. /Telegrafi/


 

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.
Foto: Ilustrim
Foto: Ilustrim
 
 
Magazina
19:26 / 19.05.2013
Eva Longoria, Foto: Getty Images/Zumapress

Longoria pa të brendshme në Kanë (Foto)

Aktorja hollivudiane me prejardhje meksikane, Eva Longoria, ka tërhequr vëmendje më shumë se që është dashur gjatë ecje...
Teknologji
19:58 / 19.05.2013
Kërkesë e madhe për HTC One, dyfishohet prodhimi

Kërkesë e madhe për HTC One, dyfishohet prodhimi

Njëri nga problemet me të cilat ballafaqohen prodhuesit e telefonave mobil është sasia që ata duhet ta lëshojnë në treg...
Ekonomi
11:34 / 19.05.2013

Policia sërish përgatit tender për “Porsche Prishtina”

Policisë së Kosovës i ka dalë sërish problem me tenderin për furnizim me vetura patrulluese, pasi që edhe në tenderët ...
 

Ky portal mirëmbahet nga kompania "Telegrafi". Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen,
të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të "Telegrafit".
Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t'i pranoni Kushtet e Përdorimit.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2006-2011 Portali Telegrafi

TELEGRAFI sh.p.k.
Rr Bajram Kelmendi Nr.35, Prishtinë, Kosovë
info@telegrafi.com

Zhvilluar dhe dizajnuar nga:
FRAKTON n.p.sh.