Takohen Thaçi e Haradinaj, s’ka koalicion PDK-AAK

10:15 / 4.02.2013

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës njoftoi të hënën se nuk do të ketë koalicion ndërmjet PDK-së dhe AAK-së, që do të mundësonte bashkëqeverisje në rrethanat e tanishme.

Në njoftimin e AAK-së bëhet e ditur se delegacionet e AAK-së dhe të PDK-së, të prira nga kryetari Ramush Haradinaj dhe kryeministri Hashim Thaçi janë takuar të hënën për të shqyrtuar mundësinë e bashkëpunimit në Qeverinë e Republikës së Kosovës, por se nuk është arritur marrëveshje.

“Pas shqyrtimit të gjendjes aktuale politike në Kosovë, nuk u arrit marrëveshja e cila do të mundësonte bashkëqeverisjen e PDK-së dhe AAK-së, në rrethanat e tanishme”, thuhet në njoftim.

Megjithatë, AAK përsëriti se do të ofrojë kontributin e saj në adresimin e çështjeve siç thanë, me interes shtetëror: dialogu në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë; Reforma e sistemit zgjedhor dhe Integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian.

“Si parti opozitare, AAK do të shfrytëzojë të gjithë mekanizmat politikë për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës, dhe për krijimin e rrethanave më të volitshme për Kosovën, për ta siguruar qëndrueshmërinë afatgjatë politike dhe ekonomike të Republikës së Kosovës”, thuhet ndër të tjera në komunikatë. /Telegrafi/
 

Komente

Vërejtje:
Telegrafi ka ofruar gjithmonë hapësirë të lire për komentime dhe për diskutim, me qëllimin e mirë të nxitjes së debateve. Por, për shkak të disa komentuesve të papërgjegjshëm, që keqpërdorin këtë mundësi, kemi vendosur ta ndryshojmë qasjen drejt komentimit të lajmeve. Tash e tutje, komentuesit në rubrikat "Lajme" dhe "Ekonomi", profilin e tyre duhet ta autorizojnë me email valid.

Çdo përdorues, në panelin "Settings" duhet të vendos emailin valid, e pastaj të kërkojë që në atë adresë elektronike t'i dërgohet linku për aprovim. Ky link duhet të klikohet, që të autorizohet profili përmes të cilit mund të komentoni.