“Të gjithë” kundër neneve 37 dhe 38

18:09 / 23.06.2012
Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK) në konsultim me mediat vendase, ka vendosur që t’i drejtohet Avokatit të Popullit me kërkesën që vendimin e Kuvendit të Kosovës për mos-heqjen nga Kodi Penal të neneve 37 dhe 38, t’i dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.

Njëherësh, AGPK-ja përmes kryetarit Arben Ahmeti, ka paralajmëruar edhe vazhdimin e protestave të gazetarëve deri në ndryshimin e këtyre dy neneve, të cilat nga mediat vendase konsiderohen se cenojnë lirinë e shprehjes dhe rrezikojnë punën e tyre.

“AGPK-ja në konsultim me të gjitha mediat, do t’i drejtohet Ombudspersonit me kërkesën që ai të shfrytëzojë kompetencën e tij që ta dërgojë Kodin Penal me këto dy nene në Gjykatën Kushtetuese për të dhënë një interpretim nëse këto dy nene bien ndesh me Kushtetutën.
Ne jemi të bindur që këto dy nene, përveç tjerash, janë edhe anti-kushtetuese. Gjithsesi që ne do ta vazhdojmë edhe protestën tonë, të cilën e kemi bërë në vazhdimësi”, ka thënë Ahmeti, transmeton REL.

Të premten, Kuvendi i Kosovës nuk miratoi kërkesën e presidentes Atifete Jahjaga për heqjen nga Kodi Penal të neneve 37 dhe 38, që kanë të bëjnë me sanksionimin e shpifjes dhe zbulimin e burimit të informacionit, në rastet kur bëhet fjalë për procedime kriminale.

Një vendim i tillë i Kuvendit çoi deri te dorëheqja e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, si dhe nxiti reagime të ashpra nga presidentja, Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, të cilët e konsideruan vendimin e Kuvendit si kthim parapa që cenon lirinë e shtypit dhe medias së lirë.


Zëdhënësi i presidentes, Arbër Vllahiu, ka thënë se vendimi i Kuvendit ishte zhgënjyes dhe kthim prapa. Kurse tash ka bërë të ditur se po shikohen mundësitë ligjore se si të veprohet tutje.

Vendimi i Kuvendit ishte cilësuar si turpërues nga kryeministri Hashim Thaçi. Ai është zotuar se nuk do të pajtohet me ligje e kode që cenojnë lirinë e shprehjes dhe medias. Andaj, ka proceduar në Kuvend për rishqyrtim Kodin Penal pa nenet 37 dhe 38.

Reagimi i Thaçit, duket se e kishte alarmuar edhe partinë e tij, Partinë Demokratike të Kosovës, pasi që katër deputetë të kësaj partie me votat e tyre kundër dhe 3 të tjerë me abstenime, përcaktuan rezultatin e votimit për mos-heqjen e neneve 37 dhe 38.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ka paralajmëruar mocionin e kësaj partie për ta rikthyer Kodin në rivotim.
Sipas tij, kërkesa e Grupit Parlamentar të PDK-së ka qenë që të kemi një riformulim (të neneve 37 dhe 38).

Kjo nuk është hera e parë që PDK-ja voton për një vendim të Kuvendit dhe më pas kërkon rivotimin, kështu që mbetet të shihet të hënën, nëse do ta bëjë një kërkesë të tillë në Kuvend dhe si do të pritet ajo nga pjesa tjetër e Parlamentit.

Kodi Penal është miratuar nga Kuvendi i Kosovës në seancën plenare, më 20 prill të këtij viti. Ai ka zgjuar më pas reagime e protesta të gazetarëve dhe mediave, të cilat kanë konsideruar se si i tillë, ky Kod, përkatësisht këto dy nene, cenojnë dhe rrezikojnë punën e tyre.

Më pas, ishte presidentja Atifete Jahjaga, e cila kishte kërkuar rishqyrtimin e neneve duke thënë se Neni 37 dhe Neni 38 i Kodit Penal janë në kundërshtim të plotë me Nenin 40 dhe Nenin 42 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që rregullojnë lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave, si dhe me Nenin 22.2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që obligon përmbushjen e Konventës Evropiane për mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj.

Si të tillë, ajo e kishte kthyer këtë Kod në Kuvend për rishqyrtim, por deputetët nuk i dhanë mbështetjen e nevojshme kërkesës së presidentes, e cila nga 61 votat e nevojshme, mori 59 vota. Deputetët që votuan kundër apo abstenuan, ishin 7 nga PDK-ja dhe 2 nga LDK-ja. /Telegrafi/
 

Komente

Portali Telegrafi ka kënaqësinë t'u ofrojë forum të lirë për komente dhe diskutim. Fyerjet dhe përdorimi i fjalëve banale, do të pasoj me përjashtim të menjëhershëm nga komentimi.
Ju lutem lexoni rregullat këtu.
 
 
Magazina
10:28 / 24.05.2013
Teodora

Këngëtarja bullgare huazon këngën e Albulenës

Superylli bullgar, bukuroshja e njohur si Teodora, duket se dëgjon shumë këngë shqipe dhe madje edhe inspirohet prej tyre n...
Teknologji
22:21 / 23.05.2013
Google Voice Search rrugës për në iOS

Google Voice Search rrugës për në iOS

Google i ka njoftuar pronarët e pajisjeve të Apple, përkatësisht sistemit operativ iOS se brenda disa ditësh ata mund të ...
Ekonomi
10:34 / 24.05.2013

QKUK-ja, tre milionë euro për kompaninë “amatore”!

Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ia ka besuar pastrimin e hapësirave një kompanie që nuk ka asnjë ditë përvo...
 

Ky portal mirëmbahet nga kompania "Telegrafi". Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen,
të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin e drejtuesve të "Telegrafit".
Për ta shfrytëzuar materialin e këtij portali obligoheni t'i pranoni Kushtet e Përdorimit.

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2006-2011 Portali Telegrafi

TELEGRAFI sh.p.k.
Rr Bajram Kelmendi Nr.35, Prishtinë, Kosovë
info@telegrafi.com

Zhvilluar dhe dizajnuar nga:
FRAKTON n.p.sh.