Të martën protestë për Mitrovicën dhe Luginën
Lëvizja për Bashkim ftoi të gjitha subjektet politike, shoqërinë civile, studentët dhe të gjithë qytetarët e Kosovës që të martën, më 19 mars 2013, në ora 12:00 të dalin dhe të protestojnë para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës për Mitrovicën dhe Kosovën Lindore. Në komunikatën e LB-së thuhet se më 20 mars 2013, pritet të mbahet takimi i radhës Thaçi-Dacic në Bruksel dhe në këtë takim pritet të arrihen marrëveshje shumë të dëmshme për Kosovën.
“Lënia e Kosovës Lindore jashtë agjendës së bisedimeve, pranimi i ndarjes së Mitrovicës dhe krijimi i institucioneve paralele janë pasojat më të drejtpërdrejta dhe më të dëmshme të këtyre bisedimeve”, thuhet në komunikatë.
“Duke qenë kundër këtyre marrëveshjeve, Lëvizja për Bashkim fton të gjitha subjektet politike, shoqërinë civile, studentët dhe të gjithë qytetarët e Kosovës që të martën, më 19 mars 2013, në ora 12:00 të dalim dhe të protestojmë së bashku para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës dhe kështu të shprehim fuqishëm pakënaqësinë tonë me këto procese. Heshtja është mënyra më e padinjitetëshme e reagimit ndaj kësaj fatkeqësie që po na pret!”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/