Të shtunën votohet për kreun e LSI
Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), të shtunën do të zgjedh kryetarin e saj të ri. Në garë është kryetari Aktual ilir Meta dhe sekretari i LSI-së Luan Rama.
Sekretari për çështjet zgjedhore në LSI, Ylli Manjani ka paraqitur edhe fletët e votimit si dhe procedurat që do të ndiqen gjatë votimit. "Në çdo qark është ngritur dhe funksionon një komision zonal i cili do të monitorojë procesin e votimit ku do të zhvillohen edhe qendrat e votimit. Është shpërndarë e gjithë baza zgjedhore dhe është gati për të nisur votimet. Votimet do të zgjasin deri në orën 17:00 dhe numërimi i votova do të zhvillohen në komisionin e qarkut ku janë ngritur grupet e numërimit” sqaroi Manjani.
Ai njoftoi edhe mbledhjen e konventës kombëtare të LSI-së ku do të paraqitet edhe votimi elektronik. “Javën e ardhshme më datën 28 tetor do mbledhim Konventën Kombëtare dhe do të ekspozojmë votimin dhe numërimin elektronik që do të jetë një model për organizmin e zgjedhjeve në Shqipëri” përfundoi Manjani. /Telegrafi/