Telashe me regjistrat kadastralë
Agjencia Kosovare e Pronës, të cilës me marrëveshjen në Bruksel i është lënë në përgjegjësi marrja dhe verifikimi i regjistrave kadastralë, paralajmëron probleme të mëdha pas kthimit të tyre nga Serbia. Zëvendësshefi i kësaj agjencie, Xhevat Azemi ka thënë se ka mospërputhje të mëdha në regjistrat këtu dhe ata në Serbi.Janë bërë 11 vjet që tjetërsimi i një parcele prej 8 ari tokë e ndërmarrjes shoqërore “Voçar” në Çagllavicë pret zgjidhjen nga gjykata.
Sipas shkresave të lëndës, që ka kaluar nga dora në dorë, del që parcela e kësaj ndërmarrjeje është bërë me letra pronë e politikanit serb, Momcilo Trajkovic. Kjo me nënshkrimin e një ish -gjykatëseje komunale, Olga Janicevic.
“Historia e lëndës është një rrëfim përplot abuzime të Gjykatës Komunale dhe Shërbimit Kadastral të Komunës së Prishtinës, e cila po pret të sqarohet”, thotë avokatja e ndërmarrjes në këtë lëndë Vahide Braha.
“Kjo lëndë tashmë është në Agjencinë e Pronës. Ky rast është i tjetërsimi pronës publike nga Momcilo Trajkovic dhe disa shqiptarë. Pastaj ka raste nga pronat tjera në Çaglavicë. Ka ndodhur shumë tjetërsime të pronave publike, por edhe private dhe unë e shoh se do të ketë ngatërresa”, ka thënë Braha.
Bazuar në ngatërresat pronësore që ka evidentuar Agjencia Kosovare e Pronës, zëvendësdrejtori i saj, Xhevat Azemi paralajmëron se problemet do të jenë të mëdha edhe në të ardhmen.
“ Ka shpërputhje të mëdha në mes të regjistrave këtu dhe atyre në Serbi. Kthimi i tyre do të nxjerr telashe. Me marrëveshjen mes Serbisë dhe Kosovës në Bruksel thuhet se për secilin rast përfaqësuesi i BE-së në Prishtinë formon komision të veçantë i cili heton rastin dhe vendos cili regjistrim është korrekt”, ka thënë Azemi.
Kreu i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Murat Meha ka thënë se niveli i abuzimeve apo i gabimeve në regjistrat do të kuptohet pasi të kthehen librat kadastral.
Kthimi i regjistrave kadastralë nga Serbia duket se do t’i nxjerr telashe shumëkujt, më së shumti shërbimit kadastral për shkak të tjetërsimit të pronave publike sidomos pas vitit 1999, raporton Radio Kosova. /Telegrafi/